SHBA i kërkon ndjesë Pakistanit

03/07/2012 19:10

Tetë muaj pas sulmit ajror të NATO-s që vrau gabimisht 24 ushtarë pakistanezë duke i ngatërruar ata me talebanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kërkojnë falje autoriteteve pakistaneze për sulmin në fjalë.

“Ne kërkojmë ndjesë dhe na vjen keq për humbjet e shkaktuara ndaj ushtrisë pakistaneze dhe jemi të gatshëm të punojmë ngushtë me Pakistanin dhe Afganistanin në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten më”, deklaroi Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton pas bisedës telefonike të zhvilluar me homologen pakistaneze, Hina Rabbani Khar.

Në këmbim të ndjesë së Uashingtonit, Islamabadi do të rihapë rrugët e furnizimit për trupat aleate në Afganistan, rrugë të mbylluar pikërisht pas incidentit të nëntorit të vitit të kaluar, me vrasjen e 24 ushtarëve në zonë kufitare me Afganistanin.

Rrugët shkurtojnë kohën dhe ulin ndjeshëm koston e transportit për aleatët, që për 8 muaj me radhë përdorën rrugë alternative duke kaluar nëpërmjet disa shteteve për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan.

Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë gjithnjë komplekse. Islamabadi ka nevojë për Uashingtonin për zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e fondeve për të, ndërsa Shteteve të Bashkuara u duhet një aleat i fuqishëm në rajon.

Por këto marrëdhënie komplekse ishin në pikën e tyre më të ulët në këto vitet e fundit. Pakistani dënoi sulmin e forcave speciale amerikane në Abotabad që coi në vrasjen e Osama Bin Laden, në ditët e para të muajit maj të vitit të kaluar duke e cilësuar atë si agresion. 

Top Channel