Qeveria shkurton buxhetin

03/07/2012 00:00

Ministria e Financave pritet shumë shpejt të dërgojë në qeveri draftin e
shkurtuar të buxhetit, i cili do të shoqërohet me ndryshime edhe në
treguesit më të rëndësishëm të ekonomisë.

Korrigjimet fillojnë me shifrën e rritjes ekonomike. Ecuria e dobët e ekonomisë e ka detyruar qeverinë të heqë dorë nga varianti optimist i fillim vitit, që parashikonte një rritje ekonomike 4.3 për qind në vitin 2012. Në draftin e ri, shifra e rritjes ekonomike ulet në 3 për qind, që është një ndër nivelet më të ulëta të pranuar zyrtarisht nga vetë qeveria. por kriza nuk ka prekur vetëm ritmin e rritjes ekonomike.

Edhe të ardhurat, që qeveria mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare, janë shumë më të ulëta nga vlerësimet optimiste të fillimvitit. E gjendur në presionin e borxhit të rritur publik dhe rrezikut të rritjes së deficitit përtej kufirit ligjor, qeveria është dorëzuar duke pranuar të shkurtojë shpenzimet e buxhetit.

Top Channel ka mësuar se në variantin e ri, ende jo final, shpenzimet qeveritare pritet të shkurtohen me rreth 15 miliardë lekë, prej të cilave 4 miliardë vijnë nga shpenzimet operative, ndërsa pjesa tjetër prek investimet publike dhe paratë e kursyera në disa zëra të shpenzimeve. Në 5 muajt e parë të vitit, qeveria mblodhi 8.8 miliardë lekë më pak të ardhura se sa plani i buxhetit të shtetit dhe situata u përkeqësua në muajt e fundit, ku vetëm në maj mosrealizimet ishin rreth 2.7 miliardë lekë.

Shkurtimet e pritshme në nivelin rreth 15 miliardë lekë, pritet të riekuilibrojnë, të paktën përkohësisht financat e drobitura të qeverisë. Por sërish pikëpyetjet e mëdha lidhen me muajt në vijim, ku nëse ritmi i të ardhurave do të ndjekë trendin rënës, shpresa e buxhetit mbetet tek privatizimet e kompanive publike.

Ndonëse edhe ky burim nuk është ende i sigurtë, pasi shumica e tyre mbeten ende për t’u tenderuar, pasi deri tani i vetmi privatizim i tenderuar është licenca e Lotarisë Kombëtare, e cila nuk do të sjellë të ardhura në buxhet sepse qeveria po e shet me cmim simbolik.

Top Channel