Ecuria e përmbylljes së pavarësisë së Kosovës, çështja e procesit të integrimit mblodhi krerët shtetëror bashkë me opozitën dhe shoqërinë civile në takimin e dytë i Këshillit Kombëtar për Integrim Europian.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i BE-së Samuel L. Zhbogar.
Sipas krerëve shtetëror vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë ka ardhur pas konsensusit të gjerë politik, por mbi të gjitha, pas angazhimit të lartë të institucioneve qëndrore dhe lokale në përmbushjen e detyrave të kërkuara.

Megjithatë, tani kur përgjegjësia me e madhe iu kalon institucioneve vendase mbetet edhe shumë punë për tu bërë.

”Vendi ynë duhet të punojë edhe më shumë për arritjen e sukseseve, duk thelluar reformat dhe forcimin e institucioneve demokratike, në sundimin e rendit, të ligjit dhe në luftën ndaj krimit e korrupsionit”, deklaroi gjatë tryezës Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Për kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin, “vendimi i përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë tregon se Kuvendi ka përmbushur në masë të madhe kërkesat e raportit”.

Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi çmoi se “vendimi i djeshëm është një dëshmi e qartë se Kosova është partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare dhe ka arritur bazën e pjekurisë së mjaftueshme rreth administrimit të shtetit”.

Në këtë takim ashtu sikurse edhe herë e parë nuk ka marrë pjesë partia opozitare Vetëvendosje, e cila e kishte bojkotuar qysh në fillim.
 
Një prej fushave më sfiduese dhe të menjëhershme, u përmend reforma e administratës publike, sundimin e rendit dhe ligjit, reformën zgjedhore dhe integrimin e plotë të komuniteteve, fusha këto të rëndësishme për të pasqyruar progres në agjendën evropiane.

Top Channel