Digjet automjeti në autostradën Fier–Vlorë, nuk ka të lënduar
Lihet në burg Emiljano Shullazi. Gjykata e Lezhës ka vendosur që
34-vjeçari, i njohur për precedentët e shumtë penalë, të qëndrojë në
burg pa afat, deri në përfundim të hetimeve për akuzën e armëmbajtjes pa
leje.
Pasditen e së premtes ai u ndalua në qytetin e Lezhës, teksa udhëtonte me mikun e tij Elidon Harizaj. Zyrtarisht u tha se Shullazi dhe shoku i tij janë ndaluar pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte janë gjetur dy pistoleta. Ndërkohë, dyshohet se Shullazi ka qenë nën vëzhgim dhe përgjim nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës për një ngjarje kriminale. Madje, përgjimet e fundit kanë zbuluar një plan të këtij personi në qytetin e Shkodrës, ku mund të kishte planifikuar edhe një atentat.
Kjo është hera e tretë që Shullazi arrestohet për armëmbajtje pa leje. Ai u lirua nga burgu më datë 12 maj të këtij viti, pasi gjykata e nxori të pafajshëm, ndërkohë që prokuroria kishte lëshuar për të urdhër-arresti për armëmbajtje pa leje dhe kërkoi katër vjet heqjen lirie. Ai ishte arrestuar bashkë me mikun e tij, Gilmando Dani, i cili u dënua nga gjykata e Tiranës me një vit burg.
Ata u arrestuan më 8 nëntor 2011, në rrugën “Stavri Thelemi” në Tiranë, shumë pranë vendit ku u vra Arjan Selimi, një tjetër personazh i njohur i botës së krimit. Emiljano Shullazi është arrestuar disa herë nga policia, ndërsa ka vuajtur dënim me burg për trafik droge. Ai është arrestuar edhe gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit, pasi u përfshi në një incident elektoral në Farkë të Tiranës, por më pas gjykata e la të lirë atë.
Top Channel