Baret dhe klubet janë ndër mënyrat më të spikatura të zbavitjes për të rinjtë shqiptarë. Një grup miqsh, pije, muzikë dhe e drejta e liria për t’u dëfryer u përket të gjithëve. Por thuhet se liria e dikujt mbaron aty ku fillon liria e tjetrit.
Muzika e lartë që zbavit dikë, mund të shqetësojë të tjerë. Bëhet fjalë për muzikën që dëgjohet netëve nga një pjesë e klubeve të Tiranës, që gjendet pranë zonave të banuara, duke shkaktuar shqetësim për banorët që kanë të gjithë drejtën të pushojnë brenda mureve të shtëpive të tyre.
Fakt është që Policia Bashkiake e kryeqytetit është prezente gjatë orëve të natës në zonat problematike, ku ndotja akustike është e lartë. Ka ndërmarrë edhe një sërë aksionesh duke ndërhyrë pranë lokaleve abuzive, por me gjithë këtë, situata vazhdon të mbetet e njëjtë.
Top Channel kërkoi një sqarim pranë Bashkisë, për të kuptuar arsyen e vazhdimit të mosrespektimit të vendimit të saj për uljen e volumit pas orës 12.00, por nuk u dha asnjë pronocim. Ato që vazhdojnë të ndjehen, janë zhurmat e orëve të vona nga një pjesë e lokaleve të kryeqytetit dhe shqetësimet e qytetarëve që ende nuk po gjejnë zgjidhje.
Top Channel