Sulmet neonaziste, dorëhiqet “kryespiuni” gjerman

02/07/2012 15:25

Kreu i Shërbimeve Sekrete brenda Gjermanisë, Heinz Fromm, paraqiti ditën e hënë dorëheqjen e tij pasi pranoi një seri gabimesh në hetimet e një celule neo-naziste.

Grupi ekstremist besohet se është fajtor për vrasjen e të paktën dhjetë personave, shumica e të cilëve emigrantë turq, në një periudhë kohore prej shtatë vitesh.

Vetë Kancerlarja Angela Merkel vendosi më parë në pikëpyetje aftësitë e shërbimeve të inteligjencës, pas arrestimeve dhe mësimit të historisë që tronditi Gjermaninë në fillim të vitit.

Një hetim i brendshëm i Shërbimeve Sekrete Gjermane tregoi se në hallkat e kësaj strukture ishin bërë një seri gabimesh, që lejuan vazhdimin e aktivitetit të neo-nazistëve për një periudhë të gjatë kohore.

Si rrjedhojë, 63-vjeçari Fromm i paraqiti ministrit të Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, vendimin e tij për të dalë në pension të parakohshëm.

”Zoti Fromm ndihet i tronditur dhe i befasuar nga gabimet e punonjësve nën autoritetin e tij”, pranoi Friedrich në një komunikatë.

”Ashtu si unë, edhe ai ndien një shqetësim të thellë në lidhje me reputacionin e dëmtuar të Shërbimeve Sekrete”, shtoi ministri.

Top Channel