Vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për të përmbyllur mbikqyrjen e pavarësisë së Kosovës, është përshëndetur nga drejtues të shtetit të Kosovës, subjekteve politike, por edhe nga ndërkombëtarë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në deklaratën e saj ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e marrjes së këtij vendimi nga shtetet që kanë ndihmuar rrugëtimin e Kosovës.

“Vendimi i sotëm i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë”, thuhet në deklaratën e Presidentes Jahjaga.

Edhe kreu i Kuvenit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në deklaratën e tij dërguar mediave ka përshëndetur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

“Ky vendim i Grupit Drejtues Ndërkombëtar është shenjë se shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet kushtetues dhe ligjvënës, po ndërton marrëdhënie shumë të mira me shtetet e Rajonit dhe më gjerë me ato në Evropë dhe botë, duke sendërtuar njëkohësisht edhe obligimet e marra nga Pakoja e presidentit Ahtisaarit”, shkruan Krasniqi.

Kreu i legjislativit ka shtuar se “Shteti i Kosovës është këmbëngulës që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, citohet të këtë thënë se përmbyllja e pavarësisë së mbikqyrur është mesazh për 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur.

Sipas eurodeputetes austriake, se kjo është një ditë e madhe për Kosovën pasi komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar se shtet-ndërtimi i Kosovës ka qenë i suksesshëm dhe se Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm.

Top Channel