Itali, zgjidhet pasardhësi i Umberto Bossit

02/07/2012 00:00

”Liga e Veriut”, partia e ekstremit të djathtë në Itali, zgjodhi ish-ministrin e Brendshëm, Roberto Maroni, si udhëheqësin e saj të ri.

Maroni zëvendëson udhëheqësin historik të kësaj force politike, Umberto Bossi, i dorëhequr për shkak të një skandali korrupsioni.

Në prezantimin e tij, lideri i ri premtoi se do të pastrojë emrin e partisë, pasi skandalet kanë përfshirë edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë, duke rrëzuar popullaritetin e Ligës në një rekord historik.

Aktualisht, Liga e Veriut është partia më e madhe opozitare në parlament.

Sipas analistëve, Maroni është i vendosur të realizojë një kundërshtim të ashpër të paketës së reformave të kryeministrit Monti, me shpresën se kështu do të fitojë popullaritet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Liga është vendosur shpesh në qendër të vëmendjes së shtypit, nëpërmjet pretendimeve të saj për më shumë autonomi për krahinat veriore ose edhe vetë ndarjen e Italisë Veriore nga ajo Jugore.

Sipas partisë, është e padrejtë që taksat e mbledhura në veriun e zhvilluar, të shkojnë për të financuar projekte në pjesët jugore, me ndryshime të thella kulturore dhe ekonomike.

Ndërsa ky program është konsideruar shpesh si antikombëtar, Liga ka fituar një mbështetje të gjerë për shkak të kundërshtimi të saj të vendosur të emigracionit dhe premtimit për të luftuar seriozisht këtë fenomen.

Top Channel