Eurozonë, papunësia nivel rekord

02/07/2012 00:00

Papunësia në Eurozonë u rrit në nivelin 11,1% në muajin maj, ndërsa rënia në sektorin e prodhimit vazhdoi, treguan statistikat zyrtare të publikuara ditën e hënë.

Një total prej 17,56 milionë personash janë të papunë dhe ky është rezultati më i keq që prej fillimit të matjes së papunësisë, në vitin 1995.

Ndërkohë, indeksi i “Markit” për industrinë e prodhimit ishte prej 45,1 në qershor. Një indeks prej 50 tregon një gjendje stabël ndërsa çdo shifër më e ulët shpreh kontraktim.

Të dhënat tregojnë qartë një situatë të zymtë ekonomike, ndërsa kompanitë kanë reduktuar investimet e tyre në një nivel rekord, si pasojë e rrjedhojave të krizës dhe frikës për thellimin e saj.

Papunësia në Eurozonë është rritur muaj pas muaj prej më shumë se një viti (14 muaj më parë u regjistrua ulja e fundit në papunësi).

Në Spanjë, vendi më i goditur nga papunësia, një në katër persona aktiv për punë nuk është i aftë të sigurojë një të tillë.

”Kompanitë janë duke u përgatitur qartësisht për më të keqen që mund të vijë, duke shkurtuar numrin e punonjësve dhe të investimeve me rritmet më të shpejta në dy vjet e gjysmë”, deklaroi Chris Williamson, kryeekonomist i “Markit”.

Top Channel