Bllokada e naftës, Irani teston raketat

02/07/2012 16:10

Irani do të lëshojë disa raketa gjatë provave ushtarake të kësaj jave, lajmëroi agjensia gjysmëzyrtare “Mehr”.

Gjatë ushtrimeve tre-ditore, qe do te nisin diten e hene, raketat do të shënjestrojnë disa baza imagjinare në shkretëtirë, që do të ndërtohen në mënyrë që të duken si pista ajrore të “vendeve armike”.

”Gjatë këtyre lojrave ushtarake, raketa me rreze të gjatë, të mesme dhe të shkurtër do të lëshohen nga disa baza të ndryshme në vend, me qëllim që të godasin mbi 100 shënjestra të përcaktuara”, deklaroi gjenerali Amir Ali Hajizadeh.

”Qëllimi i këtyre ushtrimeve është që të verifikojmë precisionin dhe efikasitetin e sistemit tonë raketor”, shtoi Hajizadeh.

Lajmërimi për këto ushtrime vjen vetëm 24 orë pasi një embargo europiane dhe amerikane hyri në fuqi ndaj naftës iraniane. Qëllimi i kësaj bllokade është ndërprerja e 80% të të ardhurave financiare të vendit, një mënyrë presioni për ndërprerjen e programit të debatueshëm bërthamor të vendit aziatik.

Irani prej kohësh pretendon se programi i tij bërthamor ka si qëllim vetëm përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime civile, por SHBA, BE, Izraeli dhe NATO janë skeptikë ndaj këtyre pretendimeve, duke imponuar sanksione të ashpra ndaj Teheranit dhe duke kërcënuar me një ndërhyrjë të mundshme ushtarake.

Top Channel