Avionët turq kundër helikopterëve sirianë

02/07/2012 17:00

Situata në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë mbetet e tensionuar. Përvec të zhvendosurve sirianë për shkak të konfliktit civil që ka përfshirë Sirinë prej më shumë se 15 muajsh, vija ndarëse mes dy vendeve është shndërruar në një “zonë të nxehtë”.

Gjashtë avionë luftarakë turq të tipi F-16 u ngritën në fluturim pas lëvizjeve të disa helikopterëve ushtarakë sirianë në veri të Sirisë.

Burimet ushtarake turke thanë për mediat se nuk ka patur shkelje të hapësirës ajrore siriane dhe se avionët u ngritën në fluturim vetëm për të kontrolluar kufirin e për të parandaluar sulmet siriane në vijën ndarëse mes dy vendeve.

Mijëra trupa, blinda, avionë dhe helikopterë turq janë vendosur në lindje të vendit pas rrëzimit të avionit luftarak turk F4-Phantom më 22 qershor nga forcat siriane. Të martën, kryeminstri Erdogan deklaroi se Ankaraja nuk do të tolerojë kurrëfarë shkelje të kufirit të saj.

Ndërkohë, në Siri vazhdon beteja mes forcave opozitare dhe atyre qeveritare. Luftime sporadike raportohen në disa qytete, në veri dhe jug të vendit, ndërsa OKB kërkoi ngritjen e një qeverie të bashkimit kombëtar, por pa praninë e Assad.

Top Channel