Masat e reja për t’u bërë “anglez”

01/07/2012 00:00

Ishte viti 2005 kur laburistët në pushtet aplikuan testin për të gjithë të huajt që marrin shtetësinë britanike, ku përfshihej edhe certifikata e gjuhës angleze dhe shumë komponentë të tjerë.

Por sipas burimeve zyrtare mësohet se Ministrja e Brendshme britanike, Theresa May, është duke rishikuar këtë test dhe versioni i ri i cili pritet të dalë pas disa muajsh ka kërkesa shtesë me një theks të veçantë në njohuritë historike dhe kulturore.

Në këtë test emigrantëve do i thuhet se “historikisht Britania është një vend i krishterë”. Emigrantët do të duhet të mësojnë përmendësh strofën e parë të himnit kombëtar përpara se ata të bëhen zyrtarisht shtetas.

Versioni i rishikuar do të fokusohet më pak në elementet praktike të jetës së përditshme në Britani dhe çështjet e ndihmave sociale apo Akti i të Drejtave të Njeriut, se sa në arritjet ndër shekuj të këtij vendi dhe historinë e tij.

Ata pritet të dinë më shumë për Bajronin, Shekspirin apo Dukën e Uellingtonit dhe figura të tjera kulturore si dhe të dinë më shumë për betejat kryesore ushtarake në historinë e vendit si ajo e Trafalgarit kundër Napolonit apo edhe për disa nga shpikjet dhe zbulimet më të mëdha të bëra nga britanikët.

Marrja e shtetësisë do të shndërrohet praktikisht në një provim mature 45 minutësh, që ata që duan të marrin shtetësinë britanike do të japin në afro 90 qendrat e ngritura në mbarë vendin.

Top Channel