Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, vlerëson se pakënaqësia qytetare po rritet në vijimësi dhe kjo pakënaqësi do ta çojë vendin në protesta gjithëpopullore.

Në një intervistë për të përditshmen “Zëri”, Kurti shprehu pakënaqësi edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, për të cilin tha se po e lejon korrupsionin dhe krimin në sytë e të gjithëve.

“Nuk është korrekte që të vazhdojnë në këtë mënyrë dhe të tolerojmë korrupsionin qeveritar. Shumë shpejt, të gjithë do të dalin në protesta pasi durimi i kosovarëve po ezaurohet”, theksoi Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes shprehu gjithashtu pakënaqësi me sistemin e drejtësisë, sidomos në Gjykatën Kushtetuese.

Kurti tha se nuk pret nga kjo gjykatë që të marrë vendime të pavarura, sidomos nga ato që mund të kundërshtojnë vijën qeverisëse së kryeministrit Hashim Thaçi.

Lideri i VV-së, në fund komentoi edhe rezultatin e dobët të përfaqësuesve të tij në zgjedhjet e fundit në Ferizaj dhe Kaçanik. Sipas Kurtit, një rezultat i tillë i dobët i atribuohet vetëm mosbesimit të njerëzve tek politika dhe vendimit të tyre për të bojkotuar masivisht zgjedhjet.

Top Channel