Trajneri i Francës, Laurent Blanc, nuk është më trajner i kombëtares, pasi Federata vendosi që të mos t’i rinovonte më kontratën që i skadoi këtë të dielë.
46-vjeçari, për të cilin përflitet një kalim në stolin e boshatisur të Tottenham në Angli, mori drejtimin e “gjelave” në vitin 2010 pas përfundimit të etapës së Raymond Domenech.
Ashtu si paraardhësi i tij, as Blanc nuk arriti të shuante përçarjet brenda grupit, ndërsa u detyrua të pranonte se mosmarrëveshjet kishin shpërqendruar skuadrën përpara përballjes çerekfinale me Spanjën.
Trajneri i Marsejës, Didier Deschamps, duket favorit për t’u shndërruar në trajnerin e ardhshëm të Francës.
Në total, Blanc drejtoi kombëtaren franceze në 27 ndeshje, duke humbur dy të parat dhe dy të fundit, ndërsa midis vendosi një rekord prej 23 takimesh pa disfatë.
Midis fitoreve të Francës nën drejtimin e Blanc, llogariten edhe ato dy ndaj kombëtares sonë, 3-0 dhe 2-1 (në Tiranë), në ndeshjet kualifikuese të Euro 2012.
Top Channel