ANDREA STEFANI – Ju qytetarët jeni të parët! – deklaronin Sali Berisha
dhe Lulzim Basha në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale. Dhe vërtet
po rezultojnë ¨të parët¨, por vetëm në letër. Sepse në praktikë nuk
është vullneti qytetar ai që po triumfon, por vullneti i korruptuar
qeveritar.
Prova më elokuente e hipokrizisë antiqytetare të qeverisë “Berisha” janë edhe rezistenca dhe bllokimi që po i bën ajo dy lëvizjeve më të fundit qytetare, asaj kundër importimit të plehrave dhe tjetrës kundër prerjes së pemëve në një prej hapësirave të pyllit të Liqenit Artificial të Tiranës. E në të dy rastet qeveria është vënë përballë lëvizjeve qytetare aspak për interesa qytetare, por interesa pushteti dhe të bizneseve që financojnë një pushtet qartazi të korruptuar. Është një përballje ku qeveria po tregon vendosmëri për të prerë me sëpatën e saj lëvizjet qytetare ashtu sikundër sëpata e Lulit po pret pemët te ¨Liqeni¨.
***
Nja dhjetë vite më parë, Berisha tregohej shumë i zellshëm për të dëgjuar zërin qytetar. Atëherë ishte në opozitë dhe duhej luajtur pjesa për t’u treguar edhe para ndërkombëtarëve (sidomos amerikanëve) si një lider që, ndryshe nga arroganti Fatos Nano, ishte shumë më i përkushtuar ndaj vullnetit qytetar. Berisha arriti deri aty sa përvetësoi thirrjen ¨Nano ik!¨ të lëshuar së pari nga lëvizja qytetare ¨Mjaft¨. Nuk është e para herë që Berisha përvetëson dhe bën të tijat gjëra që i shkojnë përshtat gjakimit të tij për të ardhur në pushtet dhe për të qëndruar pafundësisht në pushtet si paraardhësi i tij, Enver Hoxha. Dhe arriti të gabojë shqiptarë e ndërkombëtarë, arriti t’i keqpërdorë lëvizjet qytetare të atyre kohëve për rikthimin e tij në pushtet. Por sot, pas rreth 7 vjet qeverisjeje plot korrupsion e kriminalitet, gjërat kanë ndryshuar. Lëvizjet qytetare nuk përfaqësojnë më për Berishën dhe pushtetin e tij një mundësi, por një problem. Por ndërkaq, ato edhe nuk mund të sulmohen hapur, sepse një gjë e tillë nuk do t’u pëlqente shumë ndërkombëtarëve dhe amerikanëve. Atëherë si i bëhet? Berisha mendon se e ka gjetur edhe këtë herë aliazhin e mashtrimit. Dhe përbërësit themelorë të këtij aliazhi janë dy: 1 – Procedurat “kushtetuese dhe ligjore” dhe 2 – Arroganca.
***
Sa qe në opozitë Berisha mbështeti lëvizjet qytetare që kundërshtonin importimin e plehrave nga Italia dhe procedimin e tyre në Shqipëri nga ¨Albanian Bag¨. Por me të ardhur në pushtet nisi flirtet me mafien e plehrave. Në kundërvënie të hapur me vullnetin qytetar qeveria nisi një propagandë vulgare për të treguar se plehrat që do importonte ajo nuk do ishin si ato të qeverive socialiste të Nanos apo Metës, por “mbetje” pra, një shkallë më lart se plehrat! Për rreth 2 vjet iu kundërvunë me arrogancë lëvizjes qytetare kundër importit të plehrave. Por tani së fundi, rrethanat e detyruan Berishën të ndryshojë taktikë. Sepse ambientalistët dhe qytetarët vendosën të përdorin kundër tij demokracinë. Ata mblodhën mbi 60 mijë firma qytetarësh për organizmin e një referendumi popullor lidhur me importin e plehrave. Jo vetëm kaq, por ata mundën të marrin edhe mbështetjen e hapur të ambasadorit amerikan, Arvizu, që u bëri thirrje shqiptarëve për më shumë aktivizim qytetar. Si i bëhej që të mos dilte kundër Arvizut, as kundër kërkesës demokratike për referendum, por edhe njëherazi të mos e lejonte referendumin që përveç të tjerave, politikisht do të qe një disfatë para zgjedhjeve parlamentare të 2013. Si përherë në këto kohët e fundit; ishte KQZ që i erdhi në ndihmë në zgjidhjen e këtij ekuacioni të vështirë. Ky institucion “i pavarur” që e ka ndihmuar të maskojë me ligj vjedhjen e zgjedhjeve në 2009, që e ndihmoi të kamuflojë vjedhjen e hapur të zgjedhjeve lokale në Tiranë, i erdhi në ndihmë Berishës duke e shpallur të drejtë kërkesën për referendum, por njëherazi edhe të pamundur për t’u zbatuar deri nga viti 2014. Berisha e di fare mirë se për të ka pak rëndësi nëse bëhet apo jo referendumi nëse i humb zgjedhjet në 2013, por e di se nëse i fiton, kush do ketë kurajë ta vazhdojë këtë ¨avaz¨ duke pasur përballë një qeveri që duket e përjetshme? Berisha arriti atë që deshi. I tha “jo” lëvizjes qytetare pa shqiptuar “jo”. I tha “jo” edhe ambasadorit amerikan pa shqiptuar “jo”. Po kush u tha jo qytetarëve dhe ambasadorit Arvizu? Berisha mbledh supet duke treguar Kushtetutën dhe KQZ-në dhe proceduralizmin e shenjtë. Tashmë po vjen koha që edhe ndërkombëtarët të provojnë shijen e hidhur të asaj se ç’kupton Berisha me funksionim të shtetit ligjor në Shqipëri.
***
Për sa i takon bllokimit të lëvizjes qytetare që kundërshton shfarosjen e një pjese të pyllit te ¨Liqeni¨, segmenti i qeverisë Berisha i udhëhequr nga Lulzim Basha ka zgjedhur një metodë më pak të sofistikuar, arrogancën. Ankohej me të drejtë Artan Lame, drejtuesi i kësaj lëvizjeje proteste, sepse në Bashkinë e Tiranës nuk japin asnjë shpjegim, asnjë dokumentacion që të provojë ligjshmërinë e shfarosjes së pyllit në fjalë. Përfaqësuesit e lëvizjes u detyruan të shkojnë deri në zyrat e administratës së bashkisë për të kërkuar realizmin e kësaj transparence. Por Luli nuk do t’ia dijë. Ndërsa qytetarët protestojnë, bashkia vazhdon shpyllëzimin. Pak kohë më parë, ambasadori Arvizu u përpoq që të bënte një yllëzim të Lulzim Bashës duke deklaruar publikisht se ai është një ¨yll në ngjitje¨. Kohët po tregojnë se sa e rrezikshme dhe e pamatur është të mburrësh në publik politikanët shqiptarë, të rinj apo të vjetër. Si për ironi të fatit, procesi i ¨yllëzimit¨ është shndërruar në proces ¨shpyllëzimi¨, sepse Luli nga yll që ngjitet është shndërruar në një sëpatë që zbret nga lart me forcën e Zeusit në pushtet për të prerë jo thjesht ca drurë, por filizat e lëvizjes qytetare që kërcënojnë interesat korruptive të pushtetit. Sepse nëse do që ta vdesësh një lëvizje qytetare, bëje që të dështojë që në nisje të saj. Qytetarët janë të parët – thotë kryetar Luli, ndërsa sëpata e pushtetit ngulet në trungun e lëvizjes qytetare me ashk: Eëh!
Top Channel