Qipro udhëheq BE-në mes krizave

30/06/2012 19:15

Nga data 1 korrik, Qipro merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian ku do të përballet me dy problemet kryesore, e para dhe më jetike për shtetin ishullor është kriza ekonomike dhe e dyta është Turqia.

Ishulli është i ndarë në dy pjesë, në Qipron greke dhe Qipron turke në veri e mbështetur fuqimisht nga Ankaraja. Turqia refuzon cdo lloj kontakti me shtetin e Qipros që do të marrë nga nesër kryesimin e BE-së.

Por zëdhënësi i presidencës qipriote u shpreh optimist për një bashkëpunim me Ankaranë që nga Brukseli cilësohet si partnere kyçe dhe strategjike ekonomiko-sociale, por dhe politike.

Ndërsa sa i takon krizës ekonomike, Qipro kërkoi zyrtarisht ndihmë nga Bashkimi Europian për të mbrojtur sistemin e tij bankar. Analistët thonë se Qipro është dominoja e parë e efektit të krizës së stërzgjatur greke.

Sipas agjencive ndërkombëtare të vlerësimit të kreditimit, vendi ishullor ka nevojë për të paktën 4 miliard euro ndihmë.

Top Channel