Zamira Çavo – Zamira Cavo“Act now”! Duket si fjalë magjike, e cila do të
na zgjidhë problemet e stërmëdha të këtyre 20 viteve tranzicion! Por
shqiptarët janë të ngopur me ide, janë të stërlodhur nga politika dhe
mbi të gjitha kanë humbur besimin te shteti! Nëse vërtet shpresojmë se
kjo lëvizje do të na sjellë atë çka duam, unë them se jemi mashtrues të
vetvetes!
Sot pretendojmë se populli “është bërë indiferent” e nuk ngrihet kundër padrejtësive”. Ndaj dhe për ta “zgjuar,” për ta bërë të kuptojë vlerat e veta, i themi “vepro tani”! Vepro për të ngritur zërin për çdo gjë që ai e gjykon të padrejtë! Pra çdo individ të veprojë si një qytetar i botës së qytetëruar. Si një qytetar ku shteti dhe politika është e “mësuar’ të dëgjojë zërin e njerëzve. Por në vendin tonë kjo mundësi nuk ekziston!
Nga viti në vit, shqiptarët kanë humbur besimin tek institucionet e shtetit. Besimi ndaj këtyre institucioneve sot ka rënë me 30% në krahasim me katër vite më parë! Pra shqiptarët besojnë gjithnjë e më pak tek institucionet. Sigurisht që kjo mungesë besimi shfaqet edhe më e fortë ndaj qeverisë aktuale. Atëherë, nëse shqiptarët kanë një problem të tyrin me kë do ta zgjidhin? Do të ngrenë zërin e do të protestojnë! Shumë mirë. A nuk kanë bërë këtë ata qindra persona me aftësi të kufizuara, të cilëve u janë shkelur me të dyja këmbët të drejtat e tyre? Sa herë kanë protestuar ata? Sa herë kanë rrezikuar jetën e tyre përballë diellit përvëlues para Kryeministrisë dhe sa herë janë zhgënjyer nga indiferenca totale e institucioneve? Shumë herë! Ja pra, ata kanë “Vepruar Tani”, dhe nuk kanë fituar asgjë, sepse institucionet e shtetit nuk veprojnë!
Nga viti në vit, shqiptarët kanë humbur besimin te Parlamenti. Sot shumë rrallë gjen shqiptar që ta shikojë Parlamentin shqiptar si institucionin legjitim të pushtetit të tij. Dhe besimi ndaj Parlamentit këtë vit është ulur në 40% më shumë në krahasim me 4 vite më parë! Pra nëse shqiptari do të kërkojë të ndryshojë një ligj që shkel të drejtat e tij, një vendim që cenon interesat e tij, Parlamenti nuk vepron. A nuk ndodhi kështu me ujërat territorialë? A nuk ndodhi kështu me plehrat? A nuk ndodh kështu me naftën? A nuk ndodh kështu me pemët? A nuk ndodh kështu me… Po, kështu ndodh! Pra dhe nëse njerëzit kanë vepruar, Parlamenti ka heshtur!
Nga viti në vit, shqiptarët kanë humbur besimin te drejtësia. Janë shumë të paktë ata shqiptarë që besojnë ende te drejtësia. Sot është gati e pamundur të gjesh drejtësinë. Ndaj dhe nëse ti hedh në gjyq CEZ-in për vjedhjen që ai po na bën ditën për diell, sërish fiton CEZ-i. Nëse njerëzit ngrihen dhe hedhin në gjyq firmën se ajo nuk u ka paguar sigurimet shoqërore për një vit, sërish fiton firma, nëse një grup njerëzish hedh në gjyq bashkinë se ajo nuk merr asnjë masë për zhurmat që po çmendin sot Tiranën natën, sërish fiton bashkia. Atëherë kush duhet te “vepro tani”?
Nga viti në vit, shqiptarët kanë humbur besimin te partitë politike. Sot vetëm “besnikët” e kryetarëve të partive kanë besim te partia e tyre. Sigurisht jo te partia, por te kryetari. Gjithnjë e më shumë besimi se partitë do na e ndryshojnë jetën, është zvogëluar aq sa, pa frikë mund të themi se nuk ka më besim njeri te këto parti! Ja u ngritën zërat kundër brenda politikës së ndjekur nga kryetari. Por ç’ndodh? Largohen ata që ngrenë zërin! Pra njerëzit veprojnë, por “vepron “dhe partia kundër tyre! Dhe kur nuk dëgjohet zëri i atyre që janë brenda partisë, mendoni sa dëgjojnë partitë “hallet’ apo “veprimet” e të tjerëve jashtë tyre! Modeli i partive politike shqiptare tashmë është shndërruar në modelin më të keq të demokracisë! Parti të ngritura për fitime personale, klanore dhe që në çdo rast i japin krahë korrupsionit, parti të “njëshave” të përjetshëm që vetëm demokracinë nuk e njohin!
Nga viti në vit, shqiptarët kanë humbur besimin tek opozita! Vetëm 6 muajt e fundit besimi ndaj opozitës ka rënë ndjeshëm. Shqiptarët, të mësuar të jenë “ushtarë të bindur” të partive politike, tashmë e kanë kuptuar se edhe nëse ngrihen, dhe nëse “Veprojnë” sërish ata nuk fitojnë asgjë! Madje, mund të ndodhë që të humbasin dhe jetën dhe askush nuk do të përgjigjet për këtë! Opozita i ka lënë në baltë dhe zhgënjimi ka qenë gati i barabartë me humbjen e besimit! Nëse një deputet i opozitës i kërkon ndihmë ambasadorit të SHBA-së për të qenë prezent në një gjyq politik, atëherë ç’mund të presë njeriu “aktiv’ apo njerëzit që “veprojnë tani” nga kjo opozitë! Dhe nëse 100 herë në ditë kryetari i opozitës thotë se “unë do të jem Kryeministër i 2013-s, dhe pse shumica e dëshiron vërtet, besimi është i vogël! Opozita shqiptare ka vepruar pa strategji, pa rezultat dhe pa vizion politik!
Nga viti në vit, shqiptarët e kanë humbur besimin te “ndërkombëtarët”. Prania e faktorit ndërkombëtar, ka qenë për shqiptarin gjithnjë një “pikë referimi”. Kjo është historike dhe një popull i vogël dhe i vuajtur si populli ynë, i ka parë ndërhyrjet e ndërkombëtarëve si prognozën e jetës së vet. Por gjatë këtij viti kanë ndodhur kaq shumë ngjarje sa dhe besimi ndaj ndërkombëtareve është lëkundur ndjeshëm. Kur Gërdeci bëri “të pabërën, dhe njerëzit u ngritën kundër përgjegjësve, ndërkombëtarët e “zgjidhën” çështjen me futjen e Shqipërisë në NATO! (Po e them menjëherë se jam krenar që hymë në këtë aleancë, për t’u paraprirë atyre “shqiptarëve” që sapo fshehin emrin në rrjetet sociale, sulmojnë me baltën e sharjeve dhe fyerjeve” cilindo që nuk u “përshtatet” bindjeve të tij). Kur më 21 janar, populli i lodhur nga hallet u ngrit kundër korrupsionit që “bërtiste” para syve të tij, sërish ndërkombëtarët iu kundërvunë. Dhe ata të gjorë që humbën jetën, kanë mbetur në memorien e njerëzve si “shembull” i asaj që të “gjen” kur ngrihesh kundër korrupsionit politik dhe qeverisë!
Dhe së fundi: kemi pritur shumë në reagimin e Amerikës! Ende vazhdojmë të presim. Por besimi dhe shpresa nuk është më ajo që ka pritur Bejkerin, Bushin etj. Besimi është ulur dhe këtu ka rolin e vet dhe përfaqësia diplomatike e këtij shteti shpresëdhënës në Tiranë! Ndaj sot lëvizja “Act now’ më së pari duhet të ndihmojë t’u kthejë besimin njerëzve te vetë iniciatorët e saj!
Politika shqiptare është në një udhëkryq të paparë historik. Këtë na tregon dhe lëvizja “Act now”! Do të doja shumë të besoja në një ndryshim të madh të historisë sonë! Por fatkeqësisht më mungon besimi, sepse nuk kam asnjë arsye të besoj në këtë klasë politike. Për aq kohë sa pushteti është personal dhe mafia e politikës bën “të ndershmin “në ekranet e televizioneve, ndërsa pasurohet çdo ditë para syve tanë duke na vjedhur e duke na bërë për budallenj (sepse nuk kemi asgjë në dorë për ta ndaluar), unë nuk besoj!
Top Channel