Europa në kërkim të zgjidhjeve

29/06/2012 02:20

Liderët europianë u mblodhën për foton zyrtare të samitit, por përtej buzëqeshjeve, ndasitë mbeten.

Takimi i konsideruar vendimtar për zgjidhjen e ngërcit të eurozonës, vjen në kohën kur kriza e borxhit, tashmë në vitin e tretë, këtë javë u thellua akoma më shumë.

Qipro dhe Spanja iu bashkuan viktimave të mëhershme të infektimit, Portugalisë dhe Irlandës, gurët e dominosë, të rrëzuar pas Greqisë.

Mbi shpatullat e udhëheqësve europianë rëndon barra e parandalimit të një kolapsi katastrofik të monedhës së përbashkët.

Angela Merkel e ka bërë të qartë në disa raste se nuk do ta pranojë idenë e eurobondeve, duke i mëshuar nevojës për rreptësi më të madhe buxhetore.

Francois Hollande lëshoi në vigjjilje të samitit një tjetër apel për solidaritet, Spanja paralajmëroi se kostot e saj të huamarrjes ishin tepër të larta.

Kjo ishte panorama në prag të nisjes së punimeve, që për hir të së vërtetës, e kanë një moment drite në fund të tunelit: duket se ekziston një mirëkuptim i gjerë mbi masat e reja për stimulimin e rritjes. Shumë shpresa janë varur në këtë samit, por a do të mundet ai të ndryshojë situatën e rënduar të eurozonës?  Optimistet thonë se edhe po nuk u morën vendime të medha, të paktën cështjes së borxhit do t’i jepet një drejtim.

“Ky takim është ndoshta më i rëndësishmi që prej themelimit të Bashkimit Europian 60 vjet më parë”, i tha i kreu i Institutit të Financës Ndërkombëtare, Charles Dallara të përditshmes gjermane “Die Zeit”. Gjithshka ka të bëjë me rifitimin e besimit të investitorëve për periudhën afat-gjatë. Druhem vetëm se nuk do të dalin me zgjidhje gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.

Ky është samiti i 19-të i këtij lloji që prej 2010-ës, dhe ashtu si disa të tjerë përpara tij, është mbiquajtur  “babai i të gjithë takimeve”, apo shansi i fundit për monedhën e përbashkët 10 vjecare.

Mes zgjidhjeve afat-shkurtra që do të diskutohen në tryezë, është pakti ambicioz i stimulimit të rritjes përmes injektimit të 130 miliardë eurove në ekonomitë e cala të eurozonës me një nivel rekord papunësie prej 11 përqind.

Në terma afat-gjatë, do të kërkohet krijimi i një “road-map”-i drejt një unioni më të rreptë ekonomik e monetar përgjatë dekadës në vazhdim, hapi i parë për krjimin e një bashkimi bankar, i cili mund të finalizohet nga fundi i vitit.

Me të gjitha gjasat kjo do të kënaqë Angela Merkel dhe apelet e saj “për më shumë Europe, jo më pak”. Nën presionin e partnerëve të katërshes se të medhenjve të BE-së, Frances, Italisë, Gjermanisë e Spanjës, kancelarja paralajmëroi se nuk do të ketë zgjidhje të shpejta, zgjidhje të lehta e as formula magjike për krizën e eurozonës.

Vizita e saj në Paris u pa si përpjekje për të ngushtuar hendekun mes dy ekonomive më të mëdha të kontinentit të vjetër, ndërsa shumë ekspertë mendojnë se pa një pakt madhor mes tyre, rrezikohet katastrofa.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta