Barra e emrit të mirë

29/06/2012 00:00

Artan Lame – Po bëhen dy javë që nuk ka mbetur gazetë e televizor pa folur për
situatën katastrofike të asaj që po i ndodh Parkut të Tiranës. Përmbi
qindra reportazhet, shkrimet, lajmet, emisionet e kronikat e
transmetuara, janë edhe dhjetëra shkrime analistësh e njerëzish publikë
rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa të parat thjesht kanë informuar publikun për çka po ndodh, kategoria e të dytëve janë përpjekur të bëjnë analizën e ngjarjes dhe të kërkojnë një gjë shumë, po shumë, të thjeshtë. Përtej partive e debateve politike, ato kërkojnë që, meqenëse ekziston një shqetësim qytetar dhe po ndodh një ngjarje në qytet, institucioni i ngarkuar me ligj për të qeverisur e administruar qytetin, Bashkia pra, të na thotë çfarë po ndodh në të vërtetë dhe të paraqesë lejen e ndërtimit për punimet që po kryhen në territorin e saj. Kaq, vetëm kaq. Deri më sot, Bashkia vazhdon të HESHTË dhe të mos kthejë ASNJË përgjigje.

Midis shumë shkrimeve të botuara, para ndonjë jave ishte edhe ai i Fatos Lubonjës, i cili i drejtohej me një letër të hapur grupit të intelektualëve të Iniciativës për Tiranën. Lubonja, thjesht si qytetar i Tiranës, i kërkonte këtij grupi qytetarësh të Tiranës, që të prononcoheshin për atë që po ndodh në Tiranë. Pse pikërisht atyre? Sepse ky grupim që, gjatë fushatës elektorale në fillim të vitit që shkoi, u paraqit si një lloj peshoreje qytetare që do të vendoste në peshore kandidatët dhe, pa u shprehur për peshën e tyre, do t’ia linte publikut të shihte sesa rëndonin secili. Nuk po i hyj faktit se sa ishte e saktë apo e kontrolluar kjo peshore, por po e marr si të mirëqenë. Pas zgjedhjeve, po ky grupim, pretendoi se do të vazhdonte të ekzistonte për të shërbyer si kontrollues i punëve të Bashkisë, duke i varur vetes një këmborë goxha të madhe.

Vetë Iniciativa ka brenda saj njerëz nga të gjitha fushat e jetës, ndaj roli i tyre nuk ka si të jetë prej ekspertësh në çdo fushë, por vetëm si vlerësues transparence. Deri këtu mirë. Pikërisht me këtë tagër, Lubonja u drejtohej atyre tani dhe, si qytetarë, u kërkonte jo të shpreheshin nëse është i mirë a i lig projekti i prerjes së pemëve, nëse na bën mirë a keq të zvogëlohet Parku i Tiranës, por thjesht që t’i kërkonin Kryetarit të Bashkisë që ta bënte publik Projektin që ka miratuar.

Kanë kaluar ditë që atëherë dhe deri tani ASNJERI syresh nuk ka pasur kurajën personale, le më pastaj të gjithë së bashku si Iniciativë, që t’i kthejë përgjigje Lubonjës apo që t’i kërkojë kryebashkiakut që të zbatojë ligjin dhe të bëjë publik projektin. Me thënë të drejtën, disa nga ata kur janë pyetur nga mediat. kanë folur me fjalë të përgjithshme pro zhvillimit, pro zgjerimit të rrugës e të tjera fjalë kësodore, pra kanë mbështetur një projekt të cilin nuk e kanë parë. Le të ketë kurajën qoftë edhe njëri prej tyre të dalë e të thotë se e ka parë projektin e miratuar. Të gjithë ata janë njerëz të shkencës e të letrave, njerëz që dinë shumë mirë të bëjnë dallimin midis propozimeve e ideve nga njëra anë dhe dokumenteve ligjore nga ana tjetër. Edhe Lubonja në shkrimin e tij, edhe unë sot, nuk po u kërkojmë që të shprehen për projektin, kjo është një fazë e dytë, ne po ju lutemi që t’i kërkojnë Kryetarit të Bashkisë t’u përgjigjet dy pyetjeve SHUMË të thjeshta:

1. A ka leje ndërtimi për atë që po ndodh në territorin e Parkut të Tiranë, dhe

2. A mund ta publikojë këtë leje ndërtimi Kryetari i Bashkisë.

Kaq dhe vetëm kaq. Nëpër bisedat e bëra ngado, dëgjoj të jepen shembuj nga bota ku shoqëria civile, grupe ambientaliste, apo qytetarë militantë, kanë rezistuar apo kanë protestuar kundër lloj-lloj projektesh për ndërtime rrugësh apo aeroportesh, për prerje qoftë edhe një peme të vetme, për ndërtime fabrikash, e gjithfarë gjërash të tjera. Ne nuk jemi në këtë fazë. Ne nuk jemi as kundër projektit e as kundër zhvillimit. Askush nga qytetarët e Tiranës deri tani nuk është shprehur për këto çështje, sepse ne nuk kemi ende një projekt në dorë për ta kundërshtuar apo edhe për ta mbështetur po qe nevoja, sepse bën vaki që edhe të na pëlqejë projekti. Ne thjesht po kërkojmë që projekti i miratuar të bëhet publik. E shihni se sa pak po kërkojmë? Dhe për kaq pak (që për më tepër nuk është tekë njerëzish të ngeshëm, por detyrim ligjor i Bashkisë), besoj se asnjë prej intelektualëve të Iniciativës të jetë kundër. Mirëpo prapë, edhe kaq pak, asnjë prej tyre nuk ka guxuar t’ia kërkojë Kryetarit të Bashkisë.

Të gjithë këta jetojnë në Tiranë, më të shumtët edhe janë lindur në këtë qytet, kanë marrë pjesë në aksionet e dikurshme për mbjelljen dhe sistemimin e atij Parku, i kanë parë të rriten e të shumohen ato pemë, kanë lodruar e janë bërë burra nën hijen e tyre, kanë dashuruar e kanë bërë fotografi me shokët e klasës poshtë tyre, janë trembur e janë mërzitur kur kanë parë t’i zvogëlohet sipërfaqja gjithë këto vite, janë gëzuar kur kanë parë që në një farë mënyre Parku po stabilizohej vitet e fundit, dalin me nipërit e mbesat rruginave të tij, tani që po plaken bëjnë edhe vrap mëngjeseve në zemër të tij. Ndërsa tani e shohin që të pritet pa mëshirë ditën për diell, shohin që djem e vajza të reja po protestojnë për këtë punë dhe megjithatë nuk hapin gojën, jo për t’i thënë Bashkisë ndal, por as për ta shqetësuar paksa duke i kërkuar nëse e ka miratuar gjëkundi këtë që po bën. Këta janë intelektualët e Iniciativës për Tiranën. Gati asnjë prej tyre nuk punon në Bashki, që të justifikohej me bukën e gojës. Pjesa më e madhe madje është edhe në profesione të pavarura, madje ka midis tyre edhe pasunarë. E prapë as një gjysmë leku kurajë nuk e gjejnë dot në thellësi të shpirtit, jo për t’i kërkuar llogari Kryetarit, por për t’i kërkuar të zbatojë ligjin.

Po mirë se këtë pak kurajë që fola nuk e kanë, por as kurajën sa për t’i thënë Henri Çilit “të lutem na i hiq emrin nga lista, se nuk jemi për këtë punë”, as kaq kurajë nuk e gjetkan?! Nuk e vë në diskutim se midis tyre ka edhe gra e burra të nderuar, që ndoshta dhanë një lek të hyjnë në valle e tani japin njëqind e s’dalin dot, por s’ke ç’i bën, emri i mirë nuk është vetëm përfitim, por edhe barrë që do mbajtur; dhe është nga ato barra që i mban me nder një jetë të tërë dhe pastaj i humbet për një ditë që nuk ja del të jesh atje ku duhet.

Jo më shumë se një muaj më parë, lista me emrat dhe fotografitë e tyre, u shfaq publikisht në mitingun e Bashkisë për planin rregullues (vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që planet rregulluese miratohen me miting). Kjo afera e Planit rregullues është dava më vete që, kur të shpërthejë do qelbë dynjanë, por s’është vendi të merrem me të këtu. E përmenda që, meqë atje u shfaqën me emra dhe fotografi, nuk besoj se do t’u vijë keq që t’ua listojë të paktën emrat në fund të këtij shkrimi.

 

Iniciativa për Tiranën:

ADRIAN CIVICI

ALEKS LUARASI

ALI OSEKU

ALUSH SHIMA

AMIK KASORUHO

ARTAN LAME

AGIM NESHO

BESNIK ALIA

BUJAR KAPEXHIU

DHORI KULE

EDMOND LEKA

ELSA BALLAURI

GAZMEND HAXHIA

GRIDA DUMA

KUJTIM ÇASHKU

NEVILA NIKA

JERA KRUJA

JORGAQ KACANI

HALIM KOSOVA

HENRI ÇILI

ROMEO HANXHARI

SOKOL NAKO

SOTIRAQ HRONI

ZEF PREÇI

ZHANI CIKO

 

p.s. Kërkoj ndjesë edhe publikisht nëse kam harruar ndonjë emër, nëse kam shtuar ndonjë emër gabimisht, apo nëse ndonjëri prej intelektualëve të mësipërm i ka kërkuar Kryebashkiakut të Tiranës projektin dhe mua më ka shpëtuar ky fakt.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA