Starton Turi i Francës

28/06/2012 20:40

Ditën e shtunë starton edicioni i 99 i Turit të Francës, evenimenti më i rëndësishëm i sportit të ciklizmit, i cili do të transmetohet drejtëpërsëdrejti nga televizioni “Top-Channel”.

Në aktivitetin e këtij viti marrin pjesë 22 skuadra dhe 264 çiklistë në total, prezantimi i të cilëve u bë në Belgjikë, pikërisht në vendin ku do të bëjë startin e tij ky eveniment.

Në Turin e Francës së këtij viti, çiklistët do të përshkuajnë 3497 km dhe do të garojnë në 20 etapa, nga të cilat pesë janë të karakterit malor, ndërkohë që tre janë kronometër-individual dhe këtu përfshihet edhe etapa prolog Liezh-Liezh e gjatë 6.4 km.

Në kalendarin e këtij viti, parashikohen edhe dy ditë pushim në 10 dhe 17 korrik, ndërkohë që etapa e fundit e Turit të Francës do të jetë Rambuje-Paris, 120 km e gjatë që do të zhvillohet në 22 korrik.

Ajo që të bën përshtypje në këtë edicion të turit të Francës, është mungesa e dy çiklistëve më të mirë aktualisht, Alberto Kontador dhe Andi Shlek.

Çiklisti spanjoll është pezulluar pasi ne vitin 2010 rezultoi pozitiv në testet antidoping, ndërsa Shlek për arsye dëmtimi. Gjithsesi emrat e njohur nuk mungojnë dhe mes tyre përmendim Kedel Ivans, fituesi i vitit të kaluar dhe Rajder Hesxhedal, fituesi i Xhiros së Italisë për këtë vit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta