Shëndetësia, gjykata mbështet Obamën

28/06/2012 16:40

Presidenti Obama fiton betejën e radhës me rivalët republikanë. Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara rrëzoi kërkesën e republikanëve për reformën shëndetësore të cilën ata e quajnë si anti-kushtetuese.

Gjykata la në fuqi edhe pikën kryesore të reformës së Obamas, ajo që sanksionon blerjen e paketës së sigurimit shëndetësor, përndryshe ata që kanë mundësi financiare dhe zgjedhin të mos e blejnë atë, gjobiten.

Kundërshtarët e ligjit, që u miratua në vitin 2010,  thanë se administrata s’mund të detyrojë njerëzit të blejnë pa dëshirën e tyre një produkt, ndërsa administrata Obama u mbrojt duke deklaruar se kujdesi shëndetësor s’mund të krahasohet me produktet dhe të mirat e tjera që ofrohen për konsumatorët.

Debati për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara është një cështje tejet e polarizuar dhe verdikti parashikohet të ndikojë shumë në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Barak Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mit Romney, ish-guvernatori i Masacusetsit janë pesë muaj larg zgjedhjeve presidenciale. Sondazhet e fundit e tregojnë shefin e Shtëpisë së Bardhë kryesues, megjithëse diferenca mes tyre është e vogël.

Top Channel