Me thirrje nacionaliste serbët janë grumbulluar në Gazimestan, pak kilometra larg Prishtinës për të festuar 623 vjetorin e Betejës së Kosovës, betejë e humbur në përballje me turqit.

Ata mbanin në duar edhe fotografi të kasapit të Ballkanit, Milloshevic, ndërsa brohorisnin emrat e kriminelëve Ratko Mlladic dhe Radovan Karaxhic dhe bënin thirrje provokuese “duam armë”, apo edhe të tilla kundër shqiptarëve.
 
Festimet serbe  te kësaj datë  filluan me një liturgji në Manastirin e Graçanicës. Nga aty, ndonëse në një liturgji fetare, kreu i kishës ortodoske serbe, Irinej, nuk është përmbajtur nga deklaratat dhe provokimet politike. Ai ka thënë se Kosova është “Jerusalem serb”, dhe se Kosova mbetet tokë e shenjtë serbe.
 
Pas Graçanicës, ngjarja është zhvendosur në Gazimestan. Përveç përfaqësuesve të Kishës Ortodokse serbe aty morën pjesë edhe politikanë. Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konuzin, dhe zyrtarë nga Beogradi, Sllobodan Samarxhic e Oliver Ivanovic, i ashtuquajtur sekretar shtetëror në ministrinë për Kosovën.
 
Konuzin nuk dha ndonjë deklaratë me këtë rast, e prezenca e tij bëri që të thirrej edhe emri i presidentit rus, Putin. Të vetmit që iu drejtuan të pranishmëve ishin përfaqësuesit fetar.
 
“Mirë se keni ardhur në Kosovë edhe ju që banoni jashtë Kosovës. Kosova është e të gjithëve. Kosova është e atyre që jetojnë këtu por edhe e tërë popullit serb pavarësisht se ku jetojnë”, tha Irinej, kreu i kishës otodokse serbe.         
 
Policia e Kosovës gjatë gjithë kohës ishte e pranishme për të siguruar qetësi. Të gjithë ata që mbanin veshur bluza me mbishkrime provokuese apo diçka të ngjashme i’u desh që t’i zhveshin ato në hyrje të vendit ku mbahej ceremonia.
 
Ardhja e tyre në këtë vend u bë në përcjellje nga Policia e Kosovës, por kishte edhe të atillë që ishin të vetorganizuar, me vetura private te cilat mbanin  targat KS dhe RKS.

Top Channel