“Plehrat”, referendumi pas zgjedhjeve

28/06/2012 00:00

Nën thirrjet e disa dhjetra ambjentalistëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh për të marrë vendim për mbajtjen ose jo të një referendumi kundër importit të mbetjeve.

Kërkesa me 65 mijë firma, pra 15 mijë firma më shumë nga c’kërkon ligji, ishte depozituar në KQZ nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Por anëtarët e djathtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve treguan edhe njëherë se kanë pas vetes njerëz që e njohin ligjin më mirë se kolegët e tyre të majtë.

Njësoj si në zgjedhjet lokale të 2011, kur e interpretuan ligjin në ekstremet e tij dhe sipas opozitës, fitoren e kaluan nga Edi Rama te Lulzim Basha, edhe këtë herë mazhoranca në KQZ bëri një lëvizje të papritur.

Në fillim, i tërhoqi diskutimet te cështja e firmave. Sipas laboratorit të policisë një pjesë e firmave janë hedhur nga e njëjta dorë. Ambientalistët u mbrojtjën duke thënë se po sipas laboratorit, përqindja e këtyre firmave të hedhura nga e njëjta dorë është e ulët. Në cdo rast, vullneti i individit vërtetohet nga fotokopja e letërnjoftimit të tij elektronik.

“Fakti që keni marrë në konsideratë ekspertizën, aty rezulton që vetëm 14 përqind dalin që janë nga e njëjta dorë që është një proces që ne e njohim në Shqipëri”, deklaroi ambientalisti Lavdosh Faruni.

Por për kryetarin e KQZ-së Arben Ristani, nënshkrimi nga e njëjta dorë, edhe pse vërtetohet me fotokopjen e letërnjoftmit, është njësoj si votimi familjar, ku burri voton për gruan, nënën apo babën, pra i dënueshëm.

“Nuk munda ta kompensojmë as ne dhe as ju duke thënë se “hë se kështu ndodh në Shqipëri”. Kjo nuk ju nderon ju”, tha kreu KQZ-së.

Cështja u bë serioze kur shtrua për diskutim se kur duhet t’i paraqitej kërkesa gjykatës kushtetuese, ashtu sic e parashikon ligji. Në këtë moment, zv/kryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi kërkoi pushim. Pas pushimit, KQZ debatoi edhe për 2 orë të tjera.

Në fakt Kodi Zgjedhor, edhe pse është ndryshuar në vitin 2008, 2007 dhe 2005, për pjesën e referendumeve lë në fuqi kapitullin e parashikuar në kodin e vitit 2003. Kod që nuk është më në qarkullim dhe që anëtarët e sotëm të KQZ-së nuk e kanë kaluar ndonjë herë nëpër duar.

Cfarë thotë ky kod? Thotë që kërkesat për referendum, që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës. Pra duhej që kjo mbledhje të ishte bërë përpara datës 15 mars të këtij viti. KQZ, e cila miratoi me unanimitet pranimin e kërkesës, miratoi më 4 vota pro dhe 2 kundër datën 3 janar të vitit të ardhshëm si ditën që kërkesa do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për kushtetueshmërinë e kërkesës brenda 60 ditëve, pra deri më datë 3 mars 2013. Nëse nuk shprehet, kërkesa quhet e miratuar. Presidenti i Republikës ka 45 ditë kohë nga marrja e vendimit prej Gjykatës Kushtetuese, ose nga skadimi i afatit të saj, për të shpallur datën e referendumit.

Në rastin më maksimal ky afat shkon deri më 17 prill 2013. Mirëpo i njëjti kod i vitit 2003 thotë se referendumi nuk mund të zhvillohet gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit dhe deri në tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Dhe mandati i kuvendit aktual përfundon në fund të qershorit 2013, kur do të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, do të mblidhet diku nga gushti ose shtatori. Pra, referendumi nuk mund të mbahet përpara nëntorit 2013. Aleanca kundër importit të plehrave e kuptoi të tërë këtë vetëm në fund të mbledhjes.

“U përballëm me një farsë të këtij institucioni të njohur për bëmat dhe vendimmarrjen jashtë ligjit dhe interesit popullor. Kjo është qesharake dhe një tallje me popullin”, tha ambientalisti Faruni. 

Cfarë interesi ka mazhoranca nga shtyrja e mbajtjes së referendumit? Shumë e thjeshtë: Mazhoranca nuk rrezikon që rezultatet e refendumit që mund mund të jenë kundër ligjit të importit të plehrave, të kenë pasoja politike mbi të, përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Top Channel