Marrëveshja me Izraelin, në burg ministri egjiptian

28/06/2012 15:50

Ish-ministri egjiptian i Naftës, Samih Fahmi dhe një biznesmen në arrati, Hussein Salem, u dënuan me 15 vjet heqje lirie për rolin e luajtur në një marrëveshje për eksportin e gazës dhe naftës në Izrael.

Pesë ish-drejtues të lartë të ministrisë gjithashtu u dënuan me një kohë më të shkurtër burgosje.

Marrëveshja, e cila furnizonte Izraelin me 40% të rezervave egjiptiane të gazit natyror nën çmimin e tregut u anullua në muajin prill.

Ajo mbështetej nga regjimi i shkuar i Mubarak, si një mënyrë për të fituar përkrahjen e Izraelit, por mbetej thellësisht jopopullore për egjiptianët.

Pas largimit të Mubarak nga pushteti në shkurt 2011, gazsjellësi që lidh Egjiptin me Izraelin dhe Jordaninë u sabotua të paktën 14 herë, ndërsa si rrjedhojë e shpërthimeve transporti u ndërpre për disa ditë në total.

Sipas gjykatës, Fahmi dhe Salem, së bashku i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 2,4 miliardë dollarësh. Megjithatë, ata u gjetën të pafajshëm për akuzën e korrupsionit, duke i shpëtuar kështu një dënimi edhe më të rëndë.

Top Channel