Trajneri i Holandës, Bert Van Marvijk ka dhënë dorëheqjen nga përfaqësuesja e këtij vendi pas një paraqitje mjaft të dobët të ekipit të tij në Euro 2012.
Holanda u mund në të tri ndeshjet që zhvilloi në Euro 2012, që konsiderohet dhe rezultati më i keq në historinë e tyre edhe pse bënin pjesë në grupin B të etiketuar si “grupi i vdekjes”.
Trajneri 60-vjeçar refuzoi t’i përgjigjet pyetjes mbi të ardhmen e tij javën që shkoi, por tani dorëheqja e tij është konfirmuar nga Federata holandeze e Futbollit.
Van Marvijk udhëhoqi Holandën në finalen e Kupës së Botës 2010 në të cilën “tulipanët” u mundën nga Spanja në kohën shtesë.
“Kam disa dyshime, por gjithsesi vendosa ta bëj këtë hap”, tha Van Marvijk në një komunikatë, teksa kontrata e tij duhej të skadonte në vitin 2016.
Kreu i Federatës holandeze të Futbollit Bert Van Oostveen falënderoi Van Marvijk për bashkëpunimin në këto vite.
Holanda nën drejtimin e Van Marvijk fitoi 9 nga 10 takimet kualifikuese në Euro 2012, duke arritur edhe në vendin e parë ne renditjen e FIFA-s në muajin gusht të vitit 2011.
Top Channel