Banesa e kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka
rënë pre e hajdutëve, ndërkohë që policia ka hedhur dyshime të
pastruesja e tij.

Ngjarja është denoncuar nga Shehi në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë pas konstatimit se në banesë mungonte një sasi parash. Dashamir Shehi ka shpjeguar se mungesën e parave e ka vënë re më 25 qershor dhe menjëherë ka njoftuar shërbimet e rendit. Sipas denoncimit të tij, në shtëpi nuk ka pasur thyerje apo veprime të tjera të dyshimta, ndërkohë që veç familjes së tij, aty ka të drejtë hyrjeje edhe pastruesja Elida S., 55 vjeçe, e cila punon prej dy vitesh pranë kësaj familjeje. Në këto kushte, policia ka dërguar ekspertë kriminalistë në banesë, duke këqyrur vendin ku mbaheshin paratë.

Aty policia ka gjetur disa gjurmë gishtash, kështu që ka kërkuar të bëjë krahasimet me të gjitha gjurmët e personave që kanë hyrë në shtëpi. Kështu, duke vënë re se aty nuk janë gjetur gjurmë të ndonjë personi të panjohur, policia ka ngritur dyshimet se vjedhja ka ndodhur nga pastruesja, veprim të cilin ajo nuk e ka pranuar dhe për më tepër, nëse ajo e ka kryer, lidhet me shkaqe të pashpjegueshme, pasi në këtë familje punonte prej dy vitesh. Aktualisht, policia tha se ka dërguar në prokurori materialet për ndjekje penale në gjendje të lirë ndaj 55-vjeçares Elida S., por vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Vjedhja mendohet se ka ndodhur rreth orës 15:00 të datës 25 qershor, kur pastruesja ishte në banesë. Megjithatë, policia po ndjek edhe pista të tjera hetimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB