Ismail bej Vlora dhe tërë firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë, u
dekoruan të mërkurën nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Sipas
presidentit, vlerësimi i të shkuarës historike të kombit, është një
detyrë institucionale në këtë vit jubilar.
“Në kuadër të këtij viti jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë sonë të merituar, kam nderin dhe privilegjin ta shpall Vlorën dhe njëkohësisht edhe qytetarët e vjetër e të rinj të saj: “Nder i Kombit”! Nën frymën e vlerësimit të të gjithë atyre atdhetarëve që luftuan, shkrinë jetën, dijet dhe pasuritë e tyre për këtë truall, për këtë komb e për këtë flamur, dëshiroj t’u jap titullin e lartë të gjithë firmëtarëve që shkruan përjetësisht emrat e tyre të nderuar në Deklaratën e Pavarësisë: “Nder i Kombit.” Ndërsa, në një shenjë vlerësimi të veçantë, duke qenë se të gjitha këto arritje u bënë të mundura nën udhëheqjen e plakut të urtë e largpamës, Ismail Bej Vlorës, – udhëheqës të atij lloji për të cilët ne kemi aq nevojë edhe sot e kësaj dite, kur interesat madhore të vendit duhet të mbizotërojnë përmbi çdo lloj interesi të çastit apo partiak, sepse vetëm kështu burrat e shtetit do ta gdhendin emrin e tyre me nder e me lavdi në librin e artë të historisë së kombit shqiptar, – po përmbush detyrimin shtetëror e moral duke e dekoruar me “Udhrin e Flamurit”!”, u shpreh Topi.
I shoqëruar nga Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë Presidenti u ndal në godinën simbol të shpalljes së mëvetësisë. Portretet e firmëtarëve të aktit të pavarësisë janë punuar nga piktori Arben Morina dhe janë ekspozuar aty me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Top Channel