Shiste shtëpitë nga dy herë, arrestohet ndërtuesi fierak

27/06/2012 00:00

Dhjetëra qytetarë të Fierit dhe zonave përreth kanë rënë pre e
mashtrimit të dy biznesmenëve që e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në
fushën e ndërtimit. Mashtrimi i dyshuar se u është bërë këtyre
qytetarëve u ka kushtuar jo pak, por gjithë kursimet e jetës.

Por ndryshe nga koha kur qytetarët depozitonin kursimet e tyre pranë firmave piramidale, me qëllim që t’u shtoheshin paratë, këtë herë ata kanë tentuar të blejnë shtëpi. Por duket se dy ndërtuesit e dyshuar për vjedhje me anë të mashtrimit, të cilët kanë shitur apartamentet, kanë qenë edhe këta “piramidë”. Jo pak, por në 15 raste, shtëpitë dyshohet të jenë shitur të paktën nga dy herë, por ka raste që mendohet të jenë shitur edhe tri herë. Kështu, “pronarët” e shumëfishtë të këtyre apartamenteve janë gjetur përballë njëri-tjetrit, duke kuptuar se ishin mashtruar prej ndërtuesve të pallateve.

Ndalimi

Pas denoncimeve nga të mashtruarit dhe kryerjes së verifikimeve, gazeta “Shqip” ben te ditur se Policia e Fierit ka vënë në pranga një prej ndërtuesve të firmës A&E – Construction, 49-vjeçarin Eqerem Mehmetaj, ndaj të cilit gjykata e këtij rrethi ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga burime të bluve të Fierit, të cilat sqaruan se po punohet edhe për identifikimin e vendndodhjes së biznesmenit tjetër, Agron S. Sipas burimeve, dyshohet se ky i fundit është larguar jashtë shtetit disa kohë më parë.

Mashtrimi

Ka qenë një hetim disamujor i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier që ka bërë të mundur zbulimin e skemës së mashtrimit që dyshohet të kenë përdorur dy ndërtuesit. Nga burimet e sipërcituara mësohet se dhjetëra qytetarë kanë denoncuar pranë organit të akuzës, mashtrimin që pretendojnë se u është kryer prej dy biznesmenëve. Të pajisur me dokumentacionin e akt-shitblerjeve të apartamenteve, ata janë paraqitur në prokurori, ku kanë kërkuar ndjekje penale për 49-vjeçarin Eqerem Mehmetaj dhe Agron S., i cili nuk është kapur ende nga policia. Prej verifikimeve të kryera nga hetuesit mësohet të ketë rezultuar se në të paktën 15 raste, e njëjta shtëpi u është shitur personave të ndryshëm. Por ka pasur raste, kur një shtëpi rezulton t’u jetë shitur edhe tre klientëve të ndryshëm, duke i vendosur ata në konflikt me njëri-tjetrin, thonë burimet. Ata shtojnë se në këto 15 raste, blerësit e të njëjtës shtëpi disponojnë akt shitblerjet e firmosura nga dy ndërtuesit e dyshuar për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Këta të fundit kanë qenë duke ndërtuar dy pallate në periferi të qytetit të Fierit, pranë vendit të quajtur “Ura e Sheqit”. Por shitjet e apartamenteve mësohet të jenë kryer që në projekt, pasi ndërtimi i tyre nuk ka përfunduar ende. Mësohet se qytetarët që kanë blerë këto apartamente janë përballur me njëri-tjetrin kur kanë shkuar që të përfundonin punimet e brendshme të banesave të tyre. Por kur kanë shkuar aty për të kryer këto punime janë gjendur përballë faktit se dikush tjetër pretendonte pronësinë e të njëjtës banesë dhe për këtë gjë dispononte dokumente si një palë, ashtu edhe tjetra. Pasi kanë kërkuar shpjegime te ndërtuesit, ata nuk kanë marrë përgjigje apo zgjidhje dhe rruga e vetme ka qenë denoncimi në prokurori. Kjo e fundit, pas hetimeve disamujore, ka konkluduar se dy të dyshuarit, Eqerem Mehmetaj dhe Agron S., kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit dhe kanë nisur procedimin ndaj tyre. Ndërkaq, pritet që këto ditë të kryhet verifikimi i masës së sigurisë ndaj 49-vjeçarit Mehmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB