Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen deklaron se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

Shefi i NATO-s zotohet se Aleanca përmes misionit të KFOR-it në Kosovë do të bëjë çmos për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë. Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, që do të publikohet të enjten, Rasmussen flet edhe për rolin e Forcave Kosovare të Sigurisë dhe për çështje tjera të lidhura me misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ai në këtë intervistë e vlerëson lart kontributin e NATO-s në Kosovë në këto 13 vjet, prej kur ka nisur misioni i KFOR-it.

Rasmussen flet edhe për planet për shkurtime të reja në praninë e NATO-s në Kosovë, duke thënë se realizimi i këtyre planeve është shtyrë deri në një kohë tjetër për shkak të incidenteve në veri.

Duke folur për veriun, sekretari i përgjithshëm i NATO-s angazhohet për një zgjidhje politike, përmes dialogut. Ai përsërit vërejtjet e tij se EULEX-i nuk ka kapacitete të duhura për të kryer të gjitha detyrat dhe thotë se për këtë NATO-ja dhe BE-ja flasin haptas mes vete.

Top Channel