Borxhi, Spanja nuk përballon dot interesat

27/06/2012 15:30

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, u shpreh se vendi i tij nuk mund të përballojë të paguajë interesa më të larta se aktualet për huatë që ka nevojë.

Bonot 10-vjeçare të thesarit të shtetit spanjoll u shitën gjatë javës me interes prej 6,8%, shumë pranë kufirit të 7%, mbi të cilin interesi konsiderohet spekulativ dhe vështirësisht i përballueshëm.

Deklarata e kryeministrit Rajoy erdhi përpara samitit të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet më pas gjatë javës.

”Çështja më urgjente për ne është ajo e financimit të borxhit. Interesat e larta janë duke dëmtuar rëndë tentativat e qeverisë sonë, qeverisë italiane apo të shumë vendeve të tjera, për të përmirësuar gjendjen financiare dhe reduktuar defiçitin buxhetor”, u shpreh Rajoy.

Spanja ka kërkuar formalisht ndihmë nga Bashkimi Europian dhe vendet e Eurozonës janë shprehur të gatshme t’i akordojnë një hua prej 100 miliardë eurosh, por fondet nuk janë lëvruar ende.

Ndërkohë, Banka e Spanjës publikoi të mërkurën lajmin se vendi vazhdon të te jetë i zhytur në recesion.

Publikimi i të dhënave për tremujorin e parë të vitit tregoi se ekonomia është tkurrur me 0,3%, po aq sa në semestrin e fundit të 2011-s.

Top Channel