Mbrojtja e Haradinajt: Jo çdo hero është kriminel lufte

26/06/2012 00:00

Prokurorët e Gjykatës së Hagës kanë kërkuar që Ramush Haradinaj, ish
kryeministër i Kosovës, të dënohet së paku me 20 vjet burgim, pasi
dyshohet se ka kryer krime lufte.

Të njejtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për dy bashkëluftëtarët e zotit Haradinaj, Idriz Balajn dhe Lah Brahimajn.

“Dënimi më i vogël që duhet shqiptuar është 20 vjet burgim”, ka thënë prokurori Pol Roxhers, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Mbrojtja ndërkaq ka kërkuar nga Gjykata, që kur ta shpallë zotin Haradinaj të pafajshëm në atë që njihet si rasti më i gjatë në historinë e kësaj Gjykate, “të shpallë gjithashtu se ai është i pafajshëm jo vetëm pse prokuroria ka dështuar të provojë rastin, por se është i pafajshëmn në kuptimin e plotë të fjalës”.

Avokati i Haradinajt, Ben Emerson tha se jo çdo hero lufte është edhe kriminel lufte. “Haradinaj është njeri i ndershëm, që luftoi një luftë të ndershme”, tha Emerson.

Haradinaj është kthyer në Gjykaten e Hages për krime lufte në ish Jugosllavi, më shumë se një muaj, pasi Gjykata vendosi ta lirojë përkohësisht atë.

Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Gjykata vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010.

Top Channel