Lufta zbret në Damask

26/06/2012 19:15

Dhuna në Siri ka mbërritur në dyert e Damaskut. Agjencitë e huaja të lajmeve citojnë burimet nga forcat rebele që raportojnë luftime të ashpra me forcat qeveritare në periferitë e kryeqytetit.

Sipas të njëjtave burime këto janë luftimet më të ashpra të ndodhura në Damask që nga nisja e protestave kundër presidentit Bashar al Assad.

Rebelët thonë se forcat elitë të Gardës Republikane po përpiqen të marrin nën kontroll zonat e humbura, por se po hasin në rezistencën e tyre.

Përgjithësisht Damasku nuk është prekur nga dhuna mes forcave kryengritëse dhe atyre qeveritare. Në 15 muaj trazira në kryeqytet ka patur dhunë sporadike që është vënë shpejt nën kontroll nga forcat besnike të regjimit.

Luftimet në Damask shpërthyen vetëm pak orë pas paralajmërimit të Turqisë se nuk do të tolerojë më Sirinë nëse provokon dhunë në kufirin e saj tokësor dhe detar. Vetë kryeministri turk, Recep Taip Erdogan tha se Siria mbetet kërcënimi më i madh për Turqinë.

Deklarata ishte reagimi i Ankarasë zyrtare pas rrëzimit të avionit turk, F-4 Phantom disa ditë më parë nga forcat siriane. Në bordin e avionit ndodheshin dy pilotë, kërkimet për të cilët vazhdojnë ende.

Top Channel