Mbrojtja e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ka kërkuar nga Trupi Gjykues i Tribunalit në Hagë lirimin e tyre.

Ben Emerson, avokat i Haradinajt, gjatë seancës së sotme përmbyllëse, të këtij gjykimi të pjesshëm, ka paraqitur pjesë të dëshmive nga dëshmitarët, përmes së cilave hidhet poshtë pretendimi i Prokurorisë se klienti i saj ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Emerson i ka bërë thirrje gjykatës, që të shikojnë me kujdes çdo shënim të Prokurorisë, sepse sipas tij, për fat të keq janë citime të gabuara të dëshmive, ndërsa ka paraqitur Ramush Haradinajn si luftëtar të ndershëm dhe pas luftës si mbrojtës i minoriteteve.  

“Ndihmësit e juaj juridik duhet të shikojnë me kujdes çdo shënim poshtë faqes në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, sepse për fat të keq pjesa më e madhe e tyre janë citime të gabuara dhe janë në kundërshtim me atë që pohon Prokuroria në materialin e paraqitur… Si ushtar ai luftoi një luftë të ndershme dhe për kete ishte mjaft popullor. Si politikan, haradinaj ishte për konsesus. Ai hyri në koalicion qeveritar me LDK-në dhe njihjej për mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, perfshire ate te serbeve në Kosovë”, tha Ben Emerson, Avokat i Ramush Haradinajt.

Ndërsa, Gay Smith, avokat i Idriz Balaj ka thënë se klienti i tij ka të drejtë të lirohet edhe një herë, meqë Prokuroria nuk arriti të prodhojë çështjen kundër tij.
 
“Në këtë gjyq prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë akuzat ndaj Idriz Balajt përtej dyshimit të arsyeshëm. Ai ka të drejtë edhe njëherë të lirohet. Thoni ç’të doni, hidhni dyshim sa të doni zotëri prokuror, diskutoni sa të doni namin e tij të keq apo të tmerrshëm, kjo gjë nuk e ndryshon faktin se provat dhe dëshmitë e paraqitura këtu kanë qenë të mangëta në shkallën e parë, në shkallën e dytë dhe në shkallën e fundit”, tha Gay Smith, Avokat i Idriz Balaj.

Në ditën e parë të seancës përmbyllëse Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata e Hagës dënimin me 20 vjet burg për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj.Seanca përmbyllëse do të vazhdoj edhe gjatë së mërkurës.

Vendimi i Trupit Gjykues të Tribunalit të Hagës pritet të bëhet i ditur në fillim të muajit shtator.

Top Channel