Gjatë vizitës në Strasburg, kryeministri Sali Berisha u takua me
Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland.
Sekretari Jagland theksoi se fillimi i Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka qenë shumë i mbarë. Sekretari Jagland i uroi Kryeministrit Berisha sukses në përparësitë e presidencës shqiptare. Kryeministri Berisha nga ana e tij theksoi se kjo është një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sic njofton, Zyra e Shtypit e Kryeministrit, në takim u diskutuan edhe zhvillimet politike në vend dhe ecuria e reformave. Në veçanti, Sekretari i Përgjithshëm Jagland u interesua për ecurinë e reformës zgjedhore.
Kryeministri Berisha i bëri me dije Sekretarit Jagland angazhimin e plotë të qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën në reformat. Kryeministri shprehu besimin dhe angazhimin në përmbylljen e reformës zgjedhore brenda këtij sesioni. Gjithmonë sipas njoftimit zyrtar nga Kryeministria, në takim u theksua edhe rëndësia e heqjes se imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, si një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon.
Top Channel