Norma bazë e kreditimit të Qipros u zhvlerësua në nivelin më të ulët të mundshëm nga kompania e vlerësimeve financiare “Fitch”, duke parashikuar që edhe vendi ishullor t’i bashkohet shteteve të BE-së që kanë pasur nevojë për paketa madhore shpëtimi.
Qipro, bankat e të cilit janë fuqimisht të lidhura me sistemin bankar grek, mund të ketë nevojë për katër miliardë euro për të shmangur kolapsin financiar, parashikoi “Fitch”.
Zhvlerësimi erdhi pas publikimit të lajmit se Banka Popullore e Qipros ka nevojë për 1,8 miliardë euro për të rikapitalizuar bilancet e saj.
Presidenti i Qipros, ndërkohë u shpreh të hënën se do të takohet me drejtuesit e qeverisë për të diskutuar rreth situatës së vështirë të financave publike.
Në maj, guvernatori i Bankës së Qipros pranoi se kërkesa për ndihmë nga Bashkimi Europian, Rusia apo të dy vendet bashkë ishte një mundësi reale.
Sipas ekspertëve, një kredi madhore për ishullin, anëtar i BE-së që prej 2004-s, do të shoqërohej me kushtin për ndryshimin e sistemit tatimor në vend.
Aktualisht, Nikozia zyrtare mban normën e tatimeve për biznesin në 10%, në mënyrë që të shndërrojë vendin në sa më tërheqës për investitorët e huaj.
Top Channel