Durrës, kapet drogë në port

25/06/2012 00:00

Një tjetër sasi hashashi është sekuestruar natën e kaluar gjatë një operacioni antidrogë në portin detar të Durrësit, ndërsa është vënë në pranga transportuesi i saj.

107 kilogramë bimë narkotike kanabis sativa e ndarë në 99 pako ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një kamioni që po imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.

Droga u kap nga agjentët antidrogë në pikën e kontrollit të automjeteve në port gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion tip “Volvo” me targa AA 913 DI që drejtohej nga 45-vjeçari Bardhyl Dumi nga fshati Vishaj i rrethit të Tiranës.

Drejtuesi i mjetit u arrestua në flagrancë për trafik lëndësh narkotike, ndërkohë që po punohet për të zbuluar vendin e origjinës dhe destinacionin e lëndës narkotike, si dhe identitetin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik të paligjshëm.

Shqipëria mbetet në listën e vendeve prodhuese dhe trafikuese të bimës narkotike, megjithëse janë shtuar ndjeshëm rastet e goditjes ndaj kultivuesve dhe trafikantëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA