Ishujt Maldive janë një prej destinacioneve më tërheqëse turistike në botë. Megjithatë, një parajsë për turistët, një prej këtyre ishujve eshte edhe një parajsë për… plehrat.
Të shpërndarë midis ujrave të kristaltë të Oqeanit Indian, Maldives përbëhen nga 200 ishuj, shumica të pabanuar, të cilat janë shndërruar në destinacione të parapëlqyera turistike nga resortët e shumtë të ngritura në to.
Çdo vit, Maldives vizitohet nga rreth 800 mijë turistë, ndërsa kryeqyteti Male, është i mbipopulluar dhe të gjashtë kilometrat katrorë në të cilat shtrihet, janë të gjitha të mbushura me ndërtime.
Në këto kushte, ky shtet me pak më shumë se 300 mijë banorë është e natyrshme të kishte probleme me depozitimin dhe administrimin e mbetjeve.
Zgjidhja? Shndërrimi i një prej 200 ishujve, Thilafushit, në një “parajsë gjigante” plehrash, ku transportohen dhe digjen mbetjet e të gjithë vendit.
I njohur ndryshe si ishulli i plehrave, me 330 tonë mbetje në të, rripi i vogël i tokës në fjalë ofron një pamje të trishtë të një prej katastrofave ekologjike më të mëdha në botë.
Megjithatë, në këtë ishull jetojnë, midis mbeturinave e toksinave të ndryshme disa qindra banorë, të gjithë emigrantë nga Bangladeshi, të cilët paguhen për të stivuar plehrat dhe për t’i djegur më pas.
Së fundmi, një shoqatë humanitare ngriti problemin e tyre dhe akuzoi autoritetet vendase se po i trajtojnë emigrantët më keq se skllevërit e kohërave mesjetare.
Top Channel