Mbrëmjen e sotme në Kiev do të përballet ekipi tek i cili gjithmonë duhet të kesh besim (Italia) me ekipin tek i cili të gjithë kanë besim, por që në fund gjithmonë zhgënjen (Anglia).
Statistikat flasin qartë: Italia gjithmonë di t’i luajë turnetë e mëdha, ndërsa Anglia është e pafuqishme për tu përballur me kombëtaret e mëdha jashtë stadiumit Uembli. Bëhet fjalë për ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave në 15 vitet e fundit kështu që nuk mund të flitet për një rivalitet të madh.
Anglia e viteve të fundit ka nisur çdo kampionat europian apo Kupë Bote si një nga favoritet kryesore, por është eliminuar më shpejt nga ç’pritej. Në këtë EURO 2012 ka përballë në çerekfinale Italinë, një skuadër të cilës duket se i ka “vjedhur” katenaçon. Skuadra e Roy Hodgson luan me një 4-4-1-1 që nuk lejon shumë hapësira, ndërsa në sulm është mjaftuar me shumë pak gola (përjashto ndeshjen ndaj Suedisë).
Nga ana tjetër Italia mbështetet tek blloku i Juventusit dhe tek Balotelli, një gjeni që e ka shumë pak të zhvilluar lojën e skuadrës.
Të dyja ekipet duhet të bëjnë kujdes me kartonët: plot 13 lojtarë kanë karton dhe nëse do të ndëshkohen do të mungojnë në gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë.
Oxlade-Chamberlain, Milner, Gerrard, Young dhe Cole janë të rrezikuar për Anglinë, ndërsa Balzaretti, Montolivo, Bonucci, Buffon, Motta, De Rossi, Maggio dhe Balotelli kanë karton të verdhë për Italinë.
Nëse asnjë prej tyre nuk ndëshkohet nga arbitri në ndeshjen e sotme do të “pastrohen” nga kartonat për gjysmëfinalen.
Top Channel