Kuvendi i Kosovës  ka afat deri më 1 janar të 2013-ës për të miratuar Kodin e ndryshuar penal pa nenet famëkeqe 37, 38. Kodi u miratua nga qeveria e Kosovës të premten, pa këto dy nene pas votimit kontrovers në Kuvend.

Profesori Riza Smaka, i cili ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së Kosovës thotë për Top Channel se Kodi Penal tashmë është i miratuar, porse sipas Kushtetutës nuk ka ndonjë pengesë për riprocedim nga qeveria.
 
“Po. Tani për tani del se ai është i miratuar. Ndodhi ajo që ndodhi që nuk u miratua propozimi i Presidentes për heqjen e atyre dispozitave dhe mbeten dispozitat tjera me ato të miratuara. Tani për tani ekziston, por kjo nuk është kurrfarë pengese që Qeveria të propozojë ndryshime. Se me asnjë dispozitë dhe asnjëherë, jo tek ne, por kudo qoftë, nuk është e përkufizuar se kur mundet?!, kur nuk mundet?!. Mundet aq herë sa e vlerëson se ka nevojë për ndryshime dhe plotësime”, thotë zoti Smaka.  
 
Sipas professor Smakës, kur kjo të ndodhë në Kuvend zhvillohen procedurat e përcaktuara me Kushtetutë ose Rregullore të punës.
 
“Po qeveria është kurdoherë propozues. Mund të jenë edhe subjektet tjera por kryesisht Qeveria si ekzekutiv e ka për detyrë (bile themelore) që t’i përgatit aktet juridike të përgjithshme në formë të propozimeve të arsyetuara edhe më pastaj të zhvillohet debatimi dhe procedura e përcaktuar qoftë me Kushtetutë e precizuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit”, shton eksperti i Kushtetutës.
 
Pavarësisht se kryeministri Thaci u shpreh se ndjehej i turpëruar pas votimit të kuvendit, ai e pranoi një ditë më parë dorëheqjen e zëvëndësity të tij hajredin kuci, i cili u largua sic kishte premtuar, në shenjë proteste për kalimin në kuvend të neneve 37,38.
 
Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionitë të Kosovë e ka vlerësuar si të papranueshme vendimin e së premtes të Kuvendit të Kosovës.
 
Kryetari i këtij asociacioni Arben Ahmeti tha se do t’i drejtohen Avokatit të Popullit që Kodin Penal ta dërgojë në Gjykatën Kushtetutese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tyre.
 
“Për të kërkuar nga ai që ta shfrytëzojë kompetencen e tij dhe ta dërgojë Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese. Ne vlerësojmë dhe jemi të bindur që dy nenet bien ndesh me aktin më të lartë juridik të këtij vendi. Që janë në kundërshtim me Kushtetutën e kemi parë edhe vendimin e Presidentes”, deklaron Arben Ahmeti, Kryetar i Bordit të AGPK-së.

Sipas Ahmetit, AGPK do të vazhdojë edhe në forma tjera përmes protestave që të vazhdojë kundërshtimin e nenit 37 dhe 38, që sipas tyre ngulfasin lirinë e mediave në Kosovë.

Top Channel