Flamur Noka, ministër i Brendshëm

23/06/2012 00:00

Ndryshimi i papritur i ministrave që i përkasin Lëvizjes Socialiste për
Integrim, nuk ka sjellë asnjë surprizë për lëvizje të tjera në Qeveri.
Por propozimi i LSI-së për të ndryshuar përfaqësuesit e saj në Qeveri,
duket se ka nxitur Kryeministrin Sali Berisha të plotësojë vendin e
ministrit të Brendshëm, i lënë vakant pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në
postin e Presidentit të Republikës.

Në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të emërojë Flamur Nokën, deputetin që kryesoi në 2009 listën e deputetëve të qarkut të Kukësit. Por zoti Noka nuk është vetëm kaq. Me profesion mjek, të cilin e ka ushtruar për pak kohë, Flamur Noka, njihet mes demokratëve për karrierën e gjatë dhe të pandërprerë në Partinë Demokratike, nga ish-drejtues i Forumit Rinor dhe deri te posti i Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë.

Flamur Noka njihet gjithashtu mes demokratëve edhe si një bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryeministrit Sali Berisha. Deri më tani Noka nuk ka mbajtur asnjë post qeveritar dhe detyrat në organizimin e strukturave të  partisë ka qenë të vetmet me të cilat ai është përballur.

Emërrimi i Nokës në krye të Ministrisë së Brendshme, bashkë me tre ministrat e rinj të propozuar të premten në mbremje nga LSI-ja, duket se i kanë dhënë fund edhe të gjitha hamendësimeve të tjera, se Kryeministri Berisha do ta përdorte postin vakant të ministrit të Brendshëm, për ndryshime më të thella në qeveri gjatë shtatorit, përpara nisjes jozyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB