Egjipt, të dielën rezultati zgjedhjeve presidenciale

23/06/2012 00:00

Të dielën në orën 15:00 me orën lokale do të publikohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në më 16 dhe 17 qershor.

Kështu njoftoi në një komunikatë për mediat Komisioni Zgjedhor në Kajro, në kohën kur në rrugët e kryeqytetit egjiptian protestonin mijëra mbështetës të opozitës kundër Këshillit Suprem Ushtarak, i cili pasi shpërndau parlamentin e zgjedhur me votë të lirë, zotëron pushtet absolut si ekzekutiv ashtu edhe legjislativ.

Opozita dhe protestuesit akuzojnë ushtarakët se me lëvizjet e fundit po tentojnë të mbajnë pushtetin, duke mos ia kthyer atë kurrë civilëve.

Javën e kaluar, ushtarakët shpërndanë parlamentin e dalë nga zgjedhjet e para të lira në vend, që nga ardhja e Mubarak në pushtet, 40 vjet më parë. Vendimi për shpërndarjen e parlamentit mbërriti pas intepretimit të ligjit zgjedhor nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Kajro, e cila e vlerësoi këtë ligj si anti-kushtetues.

Vendimi shkaktoi protesta si nga Vëllazëria Muslimane, partia më e madhe në vend, por edhe nga radikalët salafitë, partia e dytë që siguroi më shumë mandate në parlamentin e shpërndarë.

Ushtarakët këmbëngulin se nuk u duhet pushteti civil dhe se do ta ushtrojnë atë deri në momentin kur vendi të ketë tejkaluar krizën aktuale. Sipas tyre, është e nevojshme që të reformohet ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e vendit.

Ndërkohë, rezultatet për zgjedhjet presidenciale priten me padurim, jo vetëm nga egjiptianët, por edhe nga ndërkombëtarët. Në garë morën pjesë dy kandidatë, Mohamed Mursi i Vëllazërisë Muslimane dhe Ahmed Shafiq, ish-gjeneral dhe ish-kryeministër në kohën e Mubarak.

Ushtarakët kanë premtuar që do të delegojnë pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv në duart e presidentit të ri të vendit në fund të muajit qershor dhe nëpërmjet një deklaratë shpërndarë nga media shtetërore, u zotuan se do të shtypin me të gjithë forcën policore dhe ushtarake të gjitha përpjekjet që “vendosin në rrezik ekzistencën e vendit”, që nga shumëkush është marrë si një kërcënim kundër protestave të opozitës.

Agjencia e lajmeve, Mana njoftoi planin e Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë, para dhe pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Sipas kësaj agjencia, autoritetet kanë hartuar një plan dhe shprehin vendosmërinë për të luftuar ndaj të gjitha llojeve të akteve të dhunës që do të pasojë dhënien e rezultatit ditën e dielë në orën 15:00.

Në planin e masave, parashikohen kontrolle të imtësishme në pikat strategjike të kryeqytetit, shtim të forcave të sigurisë, përfshirë këtu ushtarë dhe mjete të blinduara ushtarake.

Top Channel