Burgjet tregojnë shifrat

23/06/2012 17:30

Për të dytin vit radhazi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve publikon një manual informues se cfarë ndodh brenda mureve të burgjeve në Shqipëri për të gjithë ata shtetas që janë dënuar ose që janë në pritje të dhënies së drejtësisë.

Në këtë material informues për publikun, por edhe për organizatat ndërkombëtare në vend janë studiuar që nga numri i të dënuarve, përse ata janë dënuar, sa prej tyre janë të mitur, gra apo të paraburgosur.

Sipas këtij materiali nga 4659 shtetas që ndodhen aktualisht në burgje dhe paraburgim, 1148 prej tyre janë të dënuar për akuzën e vrasjes, 571 persona për akuzën e plagosjes, 540 shtetas janë të dënuar për cështje droge ,  114 për grabitje dhe 87 shtetas për marrëdhënie seksuale me dhunë.

Përqindjen më të lartë të të dënuarve prej më shumë se 1100 persona e zënë persona nga mosha 30-40 vjec thotë materiali, e mandej klasifikohen ata në grupmoshën 25-30 vjec dhe me pas vijnë të miturit dhe të moshuarit, pra mosha nga 17 vjec dhe grupmosha tjetër 60- 70 vjec, që zënë përqindjen më të vogël të shtetasve që ndodhen në burgje me një shifër jo më shumë se 120 persona.

Drejtori i Përgjithshëm i burgjeve jep për Top Channel detaje të mëtejshme të këtij studimi

“Manuali jep një pasqyrë të një aktiviteti goxha të madh, sistemi është me 21 burgje përfshirë brenda edhe spitale dhe kuptohet që ka një dinamikë të jashtëzakonshme. Janë gati 5 mijë të dënuar e të paraburgosur që në një hark kohor 1-vjeçar vuajnë dënimin e tyre por marrëdhënia me stafin, që edhe ky është i madh, rreth 3822 e bën njësinë goxha të madhe, goxha dinamike në aktivitetin e saj. Sigurisht që përgjegjësia që ne kemi në lidhje me rehabilitimin dhe sigurinë e të burgosurve, bëjnë që ne gjatë gjithë kohës të kontrollojmë se sa jemi në gjendje të kryejmë këtë mision. Manuali në vetvete tregon këtë pjesë”, thotë kreu i burgjeve, Gazmend Dibra.

Referuar kohëzgjatjes së dënimit të shpallur nga gjykata pjesa dërrmuese e tyre prej 1014 persona kanë qendruar në qeli për kohën nga 6 deri në një vit, mandej 577 të tjerë kanë bërë burg nga tre deri në pesë vjet, 330 prej tyre kryejnë dënimin nga 10 deri në 20 vjet burg  dhe 265 të tjerë po kryejnë dënimin më të rëndë nga 20 vjet e sipër.

Top Channel