Absurdi i vendimit të Prokurorisë

23/06/2012 20:00

Vendimi i Prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli për cështjen e kontratës koncesionare të kromit, ishte ndoshta i pritshëm për ata që e njohin sistemin e drejtësisë.

Në asnjë rast të vetëm organet e drejtësisë nuk kanë guxuar të prekin zyrtarët me pushtet politik dhe rasti Ruli ishte prova e radhës se në Shqipëri politikanët janë të paprekshëm.

Por teksa vendimi ishte ndoshta i pritshëm, absurdi lidhet me argumentat e sforcuar të prokurorisë për ta justifikuar atë. Në dokumentin zyrtar thuhet: “hetimet pushojnë, pasi veprimet e zotit Ruli nuk përbëjnë pasojë dhe dëm ekonomik për shtetin”.

Përmes këtij argumenti, prokuroria po i thotë publikut dy gjëra; së pari, që shtyrja në kohë dhe mosrespektimi i afatit të një investimi nuk krijon dëm ekonomik. Nëse pretendimi i prokurorisë do të qendronte, shteti shqiptar nuk kishte nevojë të vendoste afate për investimet në asnjë marrëveshje konçesionare. Minierat, hidrocentralet dhe të gjitha pasuritë publike do t’u jepeshin privatëve pa asnjë afat ndërtimi apo plan investimesh, duke e lënë në dorën dhe vullnetin e tyre kryerjen e investimeve.

Por, ato afate vendosen sepse cdo vonesë në investime krijon dëm ekonomike dhe jo të vogla, si për shtetin ashtu edhe për qytetarët. Në rastin e industrisë minerare, kryerja në kohë e investimeve është edhe më jetike pasi ajo lidhet direkt me sigurinë e jetës së punonjësve.

Ish-ministri i Ekonomisë, Ruli i dha të drejtë kompanisë DARFO të shtynte disa vite 13 milionë euro investime që duhet t’i kishte kryer për të garantuar kushtet e sigurisë, ndërkohë që  gjatë kësaj kohe në minierën e Bulqizës dhjetëra minatorë humbisnin jetën.

Por sic duket për Prokurorinë as kjo nuk përbën pasojë dhe as dhjetra minatorët e varrosur se gjalli në galeritë e pasigurta, nuk quhen dëm.

Së dyti, organi i akuzës po i thotë publikut se as shtyrja në kohë e pagesës së gjobave nuk ka dëm ekonomik për buxhetin. Genc Ruli shtyu me firmën e tij pagesën e 1.7 milionë euro gjoba, të cilat duhet të shkonin në buxhet, ndërkohë që qeveria për t’i kompensuar u detyrua t’i merrte borxh këto para diku tjetër. Dhe për borxhin që merr, qeveria, ashtu si biznesi apo dhe individët, paguan interes, sepse vlera e një leku tani nuk është e njëtë me vlerën e një leku pas disa vitesh.

Por përtej argumentave lehtësisht të rrëzuar, vendimi i Prokurorisë për të pushuar hetimet krijon ‘de facto’ dhe ‘de jure’ një precedent të rrezikshëm në Shqipëri, atë se këtej e tutje cilido zyrtar në zyrat e këtij shteti mund të ndryshojë me firmën e tij sa herë të ketë dëshirë dhe në cdo moment një marrëveshje për të cilën kanë votuar 140 deputetë në parlament dhe kjo nuk do të përbëjë as vepër penale dhe as argument për t’u hetuar.

Top Channel