Siria pranon rrëzimin e avionit turk

22/06/2012 04:28

Ushtarakët sirianë kanë pranuar rrëzimin e një aeroplani turk që ishte duke fluturuar në hapësirën ajrore mbi ujërat siriane, bën të ditur agjencia e lajmeve Sana.

“Avioni është trajtuar në përputhje me ligjet që përcaktojnë situata të tilla”, citohet një zëdhënës ushtarak.

Zëdhënsi tregoi se avioni ishte goditur nga artileria kundërajrore duke e rrëzuar mjetin në det.    

“Më vonë kuptuam që ishte një avion i ushtrisë turke që kishte hyrë në hapësirë tonë arjore”. shtoi ai.

Ndërkohë autoritetet turke më parë besonin se një prej avionëve F-4 luftarakë të saj ishtë qëlluar nga forcat siriane.

Ushtria turke njoftoi se kishte humbur kontaktin me një avion luftarak, i cili po fluturonte në afërsi të kufirit detar me Sirinë. 

Para konfirmimit sirian, mediat turke thanë se avioni F-4 ishte përplasur në Siri ose në territorin ujor të saj, ndërsa BBC citoi dëshmitarë nga qyteti verior i Sirisë, Latakia të thonë se forcat ajrore të Sirisë kanë rrëzuar një avion të paidentifikuar afër qytetit Rasa al-Baseet.

Avioni u ngrit nga një bazë në Malatya dhe në bord ndodheshin dy pilotë. Gazeta turke “Hurriyet” dhe filiali turk i CNN thanë se avioni ka rënë në ujërat ndërkombëtare jashtë kufirit me Sirinë dhe të dy pilotët kanë mundur të shpëtojnë.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sirisë, dikur aleate të ngushta, janë prishur që pas nisjes së trazirave kundër presidentit Bashar al-Assad në mars të vitit 2011. Turqia është ndër vendet e para që ka kërkuar largimin e presidentit sirian nga pushteti, ndërkohë që në lindje të vendit, pranë kufirit me Sirinë janë strehuar mbi 30 mijë sirianë të zhvendosur të konfliktit që tashmë është në përmasat e një lufte civile.

Top Channel