Sinan Vllasaliu: Ja pse nuk më duhen festivalet

22/06/2012 19:15

Sinan Vllasaliu është një nga patriarkët e muzikës shqiptare, por nëse do të niseshim nga shpeshtësia e daljes në mediat rozë ai do të ishte i panjohur.

30 vitet e karrierës e bëjnë Vllasaliun shumë pak të konkurrueshëm në tregun e muzikës popullore shqiptare. Shtëpitë e tij që gjenden në vende turistike (nga Brezovica malore deri tek Shëngjini bregdetar), por edhe në Nju Jorkun e largët, të bëjnë të pyesësh veten nëse fama në Shqipëri ecën në përpjesëtim të drejtë me vlerën në treg apo aftësinë e këngëtarëve.

“Gjatë 20 viteve të fundit gjatë verës kam qenë në Ulqin ku këndoj çdo mbrëmje”, shprehet Sinani për ‘Pasdite në Top Channel’.

Këtë verë Sinani nuk do të jetë në shtëpi ashtu siç ndodh gjithmonë. Puna e tij e mban larg, por shtëpitë gjithsesi mbajnë vulën e tij edhe pse është si bujtës në to.

“Kam bashkëpunuar me gruan për rregullimin e shtëpisë. Puna jonë na çon në vende të ndryshme ku shohim se si i kanë banesat shumë persona. Gjithsesi, gruaja është komandanti kur vjen puna për shtëpinë”, tregon Sinani.
Sigurisht, gruaja është komandanti, por ka ende një zonë neutrale në shtëpi ku vlen vetëm shija e këngëtarit: palestra.

Të tjera “shenja” të Sinan Vlasalliut janë trofetë e fituar në Polifestin e Kosovës dhe flamuj shqiptarë.

Tashmë Sinani mund t’i lejojë vetes çdo gjë. Pronari i klubit të futbollit të Prishtinës tregon edhe arsyen pse nuk e pëlqen pjesëmarrjen në festivale të ndryshme: “Festivalet janë bërë shumë private dhe nuk është më real kur personalizohet. Nëse unë bëj një festival dhe caktoj jurinë, ata do të ndikohen nga mua dhe nuk ka më kuptim festivali.”

Në hije apo nën prozhektor, kjo strategji e prishtinaliut funksionon: “Nuk arrij ta kuptoj se pse duhet të bësh gjithçka për të dalë në faqet e para të gazetave.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA