Mos i prisni pemët e mia!

21/06/2012 00:00

ARTAN LAME – Babai im zbriti në Tiranë në vitin 1958. Nuk zuri tokë pa
leje, se asokohe fjala “pa leje” nuk ekzistonte. Megjithëse vinte nga
fshati, nuk iu imponua qytetit, por përkundër, qyteti e zbuti dhe e
shtroi ndën rregullat e veta.

Ishte i ri, bëri shkollë, filloi punë, pastaj bleu një shtëpi të vogël në qytet. Megjithëse ishte koha e “pushtetit të punëtorëve që iu shtypte kokën pronarëve”, shtëpinë im atë e bleu nga një familje ish-pronare dhe me para në dorë. Në atë shtëpi linda unë. Ime më ishte e lindur dhe rritur në Tiranë. Ajo kujton që, për të rregulluar ato dy dhoma të shtëpisë së vockël, susta e krevatit gjatë ditës përdorej për të situr rërën e llaçit, ndërsa natën në të flija unë i porsalinduri. Unë e fillova jetën në Tiranë dhe shkollën në Shkollën Kosova, ndër më të vjetrat dhe të fismet shkolla të qytetit. E kishin ndërtuar italianët – pushtuesit pra – dhe e prishën shqiptarët në vitin 2000.

Unë u rrita në Rrugën e Elbasanit, duke lozur e harbuar mes shokësh nëpër Parkun e Liqenit që ne, banorët e atyre anëve, kishim fatin t’i ndodheshim fare pranë. Vite më pas, vazhdova gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, që edhe ky na jepte mundësinë që sa herë i shmangeshim ndonjë ore mësimi të vraponim lart nga Kodrat e Liqenit. Midis pemëve të larta e hijeshuma, ku lëviznin pensionistë të ngeshëm me nipër e mbesa dhe ku të dielave dyndeshim të gjithë tiranasit për të kaluar fundjavën mes pemëve dhe gjelbërimit.

Ishte diktaturë ajo kohë, e kish të këqija shumë, por tim atë dhe shumë të tjerë i ktheu nga fshatarë në qytetarë dhe parqet e lulishtet i çoi edhe atje ku s’kish as fije bari për be. Edhe pyjet i shtoi e i shumoi sa s’ka më.

Pastaj erdhi Demokracia. Në 20 vjet bëmë të gjitha ç’nuk kishin lënë pa bërë në 50 vjet. Premë pyje e shkatërruam shkolla e spitale, dogjëm stalla e plaçkitëm depo, e çuam vëndin në kuotën “0” dhe përtej saj madje. Ata që nuk kishin zbritur dot nga malet se Diktatura me pa të drejtë i kish mbajtur të mbërthyer aty, zunë të zbresin fushave e të rrethojnë qytetet. Por nëse një qytet mund të zbusë e të tresë brenda vetes çdo vit 100 apo edhe 1000 të egjër, po t’i sulen 10 mijë a 20 mijë në vit, s’ka ç’u bën më, do bjerë ndën barrën e tyre. Kështu u ngjau edhe qyteteve tona. Tirana që ia kish dalë të zbuste çdo vit 100 si im atë dikur, tani u gjend me 100 mijë të tillë tek portat. Dhe që s’i ndalonte më askush. Pasi prenë pyjet e maleve të tyre, shkretuan dhe zunë pa leje tokat përreth qytetit tim.

U përpoqëm t’u themi se nuk bëhej kështu kjo punë, se do dilnim të humbur të gjithë po vazhduam kështu, por s’na i vuri veshin njeri. Ndokund, kur dikush u përpoq të kundërshtonte e hoqën qafe fare. Mbaj mend një ish-pronar në Bathore që, kur kërkoi që t’i paguanin tokën e zënë me dhunë, i thanë: “Ti ke një djalë unë kam katër, do më vrasësh një por tre të tjerët do të të shuajnë gjithë shtëpinë”. Iku ish-pronari e s’u duk më.

Unë dua t’i ndihmoj ata të ardhurit që të mund t’i bashkohen qytetit tim. Ata nuk duan. Por edhe nëse duan, nuk i lënë. Ai që ju prin ka vetëm një mundësi që t’i sundojë dhe kjo është t’i lerë të egër. Po u zbutën ata, bëhen qytetarë dhe nuk e durojnë më t’i prijë ai.

Unë nuk kam shkuar të zë pa leje tokën e tyre atje në male (le që edhe po të doja, nuk do më linin, po do më përcillnin me një plumb ballit). Po ata, pse po vijnë e po zënë të gjithë tokën e qytetit tim?! Unë nuk kam qenë asnjëherë në malet e tyre për të prerë pemët e tyre. Edhe kur kam shkuar në malet ku ka pas lindur im atë, jam përpjekur të mbroj çdo pemë që mundja. Po ata pse po vijnë të më presin pemët e mia?

Ca vite më parë, një pjesë e Parkut të Liqenit u rrethua me një mur betoni. Muri ishte vërtet shumë i shëmtuar, por të paktën e frenoi për ca vjet prerjen barbare të pemëve. Në të gjithë botën, që nga kohët më të lashta, njerëzit kanë ngritur mure për t’u mbrojtur nga pyjet. Këtu u detyruam të ngremë mure për të mbrojtur pyllin nga njerëzit. E shihni sa keq ka arritur puna?! Tani edhe murin e betonit e prishën, edhe pemët i masakruan. Unë jam rritur me pemët e Parkut të Liqenit. Tani ata po vijnë të m’i presin edhe ato.

Edhe më keq madje. Kam parë dikur një dokumentar të vitit 1936, në të cilin shihej një malësor ndërsa po priste një pemë. Para se ta priste, bëri kryq e pastaj zuri sëpatën me dorë. Në atë gjest shihej sidoqoftë një lloj respekti i njeriut të malit për pemën. Ndërsa Pemët e Parkut këta të egrit e sotëm nuk po i presin, thjesht po i shkulin dhe thyejnë. Ju vënë fadromën t’i godasë e shtyjë derisa ato të gjorat pemë përkulen e jepen, derisa thyhen e shkulen. Pema është gjë e gjallë dhe meriton respekt, në mos tjetër për hijen e gjelbërimin që u ka dhënë kaq brezave atje në Park. T’i thyesh me fadromë, është si të vrasësh lopët në thertore jo me thikë a me goditje elektrike, por duke i goditur me kazmë në bark apo me çekiç nëpër kërcitë e këmbëve derisa të japin shpirt.

Rruga që thonë se do bëjnë, shkatërron edhe rrethimin e Parkut të Pallatit të Brigadave. Nëse italianët – pushtonjësit pra – nuk do të kishin bërë atë Pallat dhe atë Park, natyrisht që sot e gjithë ajo zonë do të ishte zënë me ndërtime, siç është zënë çdo centimetër në krahun tjetër të rrugës. Dhe, për të mos prishur capak ndërtime pa leje në atë krah të rrugës, do të shkatërrojnë rrethimin e Pallatit të Brigadave. Unë nuk kam shkuar atje në male të prish kopshtet tuaja. Po ju, pse vini e prishni monumentet e qytetit tim?

Në histori të njerëzisë sa herë është përballur qytetërimi me barbarinë, barbarët kanë fituar. Nëse ndonjëherë ka ndodhur ndryshe, kjo ka ngjarë vetëm kur edhe të qytetëruarit, për të mbijetuar, kanë përdorur mjetet e të egërve. Unë këtë nuk e bëj dot. Qytetërimi ynë nuk u tregua aq i fortë sa të fitonte mbi të egrit. Ndaj, meqë me dhunë nuk i mbaj dot, po përpiqem me mjetin që di, me të folur dhe të shkruar: Mos i prisni pemët e mia!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA