Kryeministri i ri i Greqisë, Antonis Samaras, zyrtarizoi ditën e enjte kabinetin e tij, i dominuar nga figura të larta të partisë së tij të Demokracisë së Re.

Vassilis Rapanos, guvernatori i Bankës së Greqisë deri në këtë moment, është caktuar në postin kyç të ministrit të financave.

Socialistët e “Pasok” dhe të Demokracisë së Majtë, janë përfshirë gjithashtu në kabinet me liderat e tyre, por nuk u janë dhënë poste ministrore.

Besohet se kjo është një zgjedhje e vetë këtyre dy partive, që nuk duan të jenë të lidhura me masat e mëtejshme të shkurtimit që do t’u nënshtrohet Greqia nën drejtimin e Samaras.

Sipas korrespondentit të “BBC”-së në Athinë, Mark Lowen, vendimi i partnerëve qeverisës për të mos marrë pjesë në kabinet është një ogur i keq për efektshmërinë e kabinetit të ri, që do të udhëheqë vendin në një prej momenteve të tij më të vështira historike.

Zëvendëskryetari i Demokracisë së Re, Dimitris Avramopoulos është caktuar në ministrinë tjetër vendimtare, atë të punëve të jashtme.

Demokracia e Re fitoi 129 vende në Parlamentin Grek prej 300 vendesh, përfshi edhe 50 mandate të dhëna aforfe për partinë që renditet e para, ne baze te kushtetutes greke.

Së bashku me “Pasok” dhe Demokracinë e Majtë, kabineti i Samaras do të ketë një shumicë prej 189 deputetësh në Parlament.

Samaras u shndërrua në kryeministrin e katërt të Greqisë në tetë muaj ditën e mërkurë, pas një ceremonie të shkurtër në Pallatin Presidencial në Athinë.

Kancelarja Angela Merkel ishte e para që i dërgoi Samarasit një letër urimi, në të cilën shprehte dëshirën për të bashkëpunuar ngushtësisht me kryeministrin e ri, për të mirën e të dy vendeve.

Kjo është edhe përbërja e qeverisë se re greke

Kryeminister – Antonis Samaras
Ministër i Brendshëm – Euripidhis Stilianidhis
Ministër i Financave – Vasilis Rapanos
Ministër i Jashtëm – Dimitris Avramopoulos
Ministër i Mbrojtjes – Panos Panajotopoulos
Ministër i Reformave Administrative – Antonis Manitakis
Ministër i Zhvillimit dhe Instratukturës – Kostis Hadhidhakis
Ministër i Energjisë dhe Mjedisit – Evangelos Livieriatos
Ministër i Arsimit dhe Kulturës – Konstantinos Arvanitopoulos
Ministër i Punës – Janis Vroutsis
Minister i Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social – Andreas Lukourentzos
Minister i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit – Athanasios Tsaftaris
Minister i Drejtësisë – Antonis Roupakiotis
Ministre e Turizmit – Olga Kefalogiani
Ministër i Marines Tregetare dhe Egjeut – Kostis Mousouroulis
Ministër i Mbrojtjes së Qytetarëve – Nikos Dhendias
Ministër i Shtetit – Dhimitris Stamatis
Ministër i Maqedonisë dhe Thrakës – Theodoros Karaoglou

Top Channel