“Statusi? Varet nga qeveria”

21/06/2012 00:00

Eduart Kukan shprehet se ështe ndjerë i zhgënjyer nga procesi i
zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës, duke konfirmuar deklaratën
e dhënë javën e kaluar se ky ishte një shans i humbur për Shqipërinë.

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i delegacionit të PE-së për Ballkanin deklaron se vendi rrezikon të humbasë të tjera shanse me moskryerjen e reformave të rëndësishme, si reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Për Kukan, nëse Shqipëria dështon me statusin edhe këtë vit, përgjegjësia do të jete e qeverisë.

Top Channel: Zoti Kukan, mënyrën si u zgjodh Presidenti e cilësuat një shans të humbur, pse ju trishtoi dhe çfarë prisnit?

Eduard Kukan
: Dua të veçoj një gjë. Ishtë një shans i humbur për klasën politike të Shqipërisë, për të gjithë ata. Unë e di dhe dua ta them qartë se zgjedhja e Presidentit ishte në përputhje me Kushtetutën. Por kjo nuk është mjaftueshëm mirë për mua. Unë prita që partitë politike do të tregonin më shumë përfshirje në dialogun politik i cili duhej të çonte në zgjedhjen e Presidentit.
Pse them se ishte një mundësi apo një shans i humbur: sepse gjatë një kohe neve na vinin lajme pozitive nga Tirana, se dialogu po vijon, se janë ngritur disa komisione parlamentare që po japin disa rezultate. Pra në ndjekje të kësaj klime të re apo të kësaj situate politike pozitive, unë prita që zgjedhja e Presidentit do të ishte shansi ideal për ta dëshmuar këtë. Pra në këtë kuptim unë u zhgënjeva.”

Top Channel
: Tashmë kemi për President, ish-ministrin e brendshëm të kësaj qeverie, a ishte kjo mënyra e duhur ?

Eduard Kukan: Kësaj pyetje do t’i përgjigjem në dy kënde. Në lidhje me vetë personin, unë mendoj se është një politikan i aftë, e kam takuar dhe kam biseduar gjatë me të, dhe unë vetë kam respekt për të, e respektoj. Pra unë po ndaj procesin zgjedhor nga kandidati.
Procesi, siç e thashë, duhej të kishte qenë më shumë transparent dhe me më shumë konsultime. Duke patur parasysh situatën ku Shqipëria ndodhet për një kohë të panevojshmëshirt kaq të gjatë, unë do të kisha pritur shumë më shumë pjekuri politike dhe përgjegjësi.

Top Channel
: Tani që mazhoranca e kryeministrit Berisha mori në dorë të gjitha pushtetet, a besoni se do të realizohen më shpejt reformat që i kërkohen vendit?

Eduard Kukan: Në deklaratën time për shtyp pas zgjedhjeve unë thashë se nëse nuk do të ketë ndryshim të kësaj qasjeje apo të kësaj filozofie politike atëherë unë jam i shqetësuar që Shqipëria mund të humbasë edhe më shumë mundësi të tjera në të ardhmen, dhe kjo do të ishte thjesht shumë gjë e keqe.
Tani do ta them troç: neve këtu na ka ardhur në majë të hundës duke lexuar akuzat e njërit kundër tjetrit, apo të këtij të fundit kundër të parit. Nuk mund të vazhdojë kështu nëse Shqipëria do që të arrijë një farë progresi. Koha po fluturon shpejt e muaji nëntor, kur do të kemi raportin e progresit të Komisionit, nuk është më kaq larg. Po ku janë rezultatet ? Unë e di se ka pasur disa lëvizje, pasi kam lexuar me vëmendje sa prej 12 prioriteteve janë përmbushur, sa nuk janë përmbushur, sa janë përmbushur pjesërisht apo janë ende rrugës. Ato 12 prioritete janë mbi tavolinë për një kohë shumë të gjatë dhe unë do të prisja më shumë, më shumë rezultate kur nuk ka mbetur më shumë kohë para raportit të progresit.
Pra pas kësaj lind pyetja a do të ketë status kandidat apo jo. Unë nuk po i shmangem pyetjes tuaj por ne kemi përsëritur dhe unë e përsëris gjithë kohën se duhet dialog politik në mënyrë që të gjendet kompromisi që do ta shtynte vendin përpara. Dhe ne kemi nevojë për dëshmi, për rezultate, kemi nevojë për dhënie rezultatesh. Kam disa muaj që unë vetë po e përsëris këtë gjë dhe kjo është ajo që ne po e presim akoma dhe që nuk po vjen.
Për reformën zgjedhore përshembull, u arrit afër një marrëveshje, por as kjo marrëveshje nuk është mbyllyr ende. Komisioneri Fule dha si afat të fundit datën 24 maj, por ky afat u humb. Pra megjithë lëvizjen e gjërave ne po shtyjmë pasi na duhen rezultate. Në këtë kuptim duhet të ketë realisht më shumë përgjegjësi politike dhe presion nga brenda Shqipërisë, presion nga populli i cili përfundimisht meriton një situatë më të mirë.
Ju lutem më kuptoni, unë jam me të vërtetë miku juaj dhe ndonjëherë kur shfaqem i paduruar apo kritik unë dua vërtetë të shoh se vendi po lëviz. Kjo sepse në atë situatë që është tani, jam i shqetësuar, me të vërtetë i shqetësuar.

Top Channel
: Ju shmangët sërish pyetjes time. Të fusësh në një thes qeverinë me opozitën është një gjë, por me historikun qeverisës të këtyre shtatë viteve, tani që Zoti Berisha mban në dorë të gjitha pushtetet, a besoni se do të kemi një gjyqësor apo një prokurori të përgjithshme më të pavarur.

Eduard Kukan: E dini çfarë? Do të varet nga sjellja e qeverisë. Nëse kanë vullnet do të duhet ta dëshmojnë. Unë nuk mendoj se, nëse do të ketë zero rezultate, do t’ia arrijnë që të hedhin të gjithë fajin mbi opozitën. Do të varet se si do të sillen ata realisht pasi nga ne nuk do të pranohet asgjë tjetër përveçse rezultateve si dëshmi se gjërat po ecin.

Top Channel: Zoti Kukan, meqë ju përmendët nëntorin, raporti publikohet në tetor, pra kemi një muaj më pak. Kur flisni për reformat, më e rëndësishmja mbetet ajo zgjedhore. Me historikun e zgjedhjeve shqiptare dhe namin e tyre, e meqë janë djegur disa afate dhe nuk janë mbyllur ende çështjet kyçe, a mos po shkojmë drejt dështimit të radhës të reformës zgjedhore ?

Eduard Kukan
: Unë jam një optimist i lindur. Megjithëse po bëhet gjithnjë e më e vështirë të jesh optimist për Shqipërinë. Por unë besoj ende se politikanët janë ata që duhet t’i shërbejnë vendit, përndryshe, nuk do të duhej të ishin të përfshirë në politikë. Po. Reforma zgjedhore është shumë shumë e rëndësishme dhe e papërmbyllur. Ju keni të drejtë, janë bërë shumë gjëra por jo deri në fund. Një gjë që s’është mbyllur, s’është mbyllur. Nëse marrëveshja ka arritur 95 për qind, kjo nuk është ende një marrëveshje. Kjo është ajo që na nevojitet, përfundimi i kësaj marrëveshjeje dhe i negociatave në Shqipëri. Dhe ajo që po ndjekim nga shumë pranë dhe me shumë kujdes është që pas këtij tipi zgjedhjeje presidenciale, se a do të vijnë apo jo gjëra të reja, apo se si do të zbatohen reformat, sepse ka shumë prej tyre. Njerëzit tuaj e dinë shumë shumë mirë se çfarë pritet prej tyre. Pra unë mundem vetëm të them se ne po presim dorëzimin e këtyre reformave, sepse pa bërjen e tyre, do të jetë me të vërtetë e vështirë. Dhe është në interesin e vendit, keni të drejtë, pas çdo procesi zgjedhor në Shqipëri ka pasur probleme, pra është e domosdoshme të ndalohet kjo lloj praktike, gjë që mund të ndalohet vetëm kur arrihen marrëveshje dhe rregulla të vërteta, demokratike, transparente, para se të shkohet në zgjedhje, në mënyrë që askush të mos mundë të ankohet pas tyre. Le të presim herën tjetër, kur do të takohemi me ta, ndoshta në tetor. Komisioneri Fyle dhe partnerët në Parlamentin Evropian i japin ende një shans Shqipërisë. I japin një shans tjetër, por do të jenë më shumë kërkues dhe më të kujdesshëm pas këtyre zgjedhjeve. Ka ende pak kohë, por nëse ju e humbisni, do ta humbisni shumë keq dhe për një kohë shumë të gjatë.

Top Channel
: Zoti Kukan, nëse numërojmë shanset që i janë dhënë Shqipërisë, që nga koha e “krokodilit”, nga vetë Parlamenti Evropian, vajtje-ardhjet e Drejtorit të Përgjitshëm Sanino, letrat e panumërta të Fules, nëse i vemë në kandar, aktualisht shanset e humbura peshojnë më shumë se ato që mbeten.

Eduard Kukan: Po, por kur shohim këtë fotografi të trishtë, unë do të thoja se njerëzit në institucionet evropiane janë shumë të durueshëm, duke ju dhënë sërish një shans e një mundësi. Shqipëria nuk do mund të thotë se institucionet evropiane nuk e çanë kryet dhe nuk na ndihmuan. Pra përgjegjësia është në anën tuaj, në anën e Shqipërisë. Dhe peshorja nuk është aspak e favorshme për Shqipërinë. Por shansi është aty.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel