Qeveria e Kosovës ka emëruar të mërkurën Adriana Hoxhiç si shefen e Zyrës Administrative në veri të vendit.

Sipas raportimeve të “RTK”, vetë zyra në fjalë do të nisë së funksionuari në fund të muajit.

Sipas burimit mediatik, deri më sot zonja Hoxhiç ka kryesuar grupin përgatitor për krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, ku do të hapet dhe zyra.

Kjo strukturë do të menaxhojë shërbimet dhe fondet që qeveria e Kosovës do të ofrojë e investojë për përmirësimin e situatës dhe integrimin e serbëve të kësaj zone në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Fillimi i proçesit të hapjes së Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës tërhoqi vëmendjen e pothuajse të gjithëve, vendorë e ndërkombëtarë.

Edhe serbët e asaj pjese, rrugët e së cilës vazhdojnë të mbahen të bllokuara, u shfaqën jashtëzakonisht të interesuar të punojnë në këtë zyrë. Konkursi për 50 vende të lira pune u mbyll të enjten e kaluar në orën 16:00 dhe shifrat tregonin për një interesim të madh.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç tha për Top Channel pak çaste pas mbylljes së konkursit se më shumë se 1 mijë aplikacione janë dorëzuar, e prej tyre më shumë se 250 janë të serbëve nga Veriu. Edhe për të marrë postin e shefit të Zyrës Administrative nga 6 aplikime, 4 ishin bërë nga serbët.

Hapja e këtij institucioni u kundërshtua nga Beogradi. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç deklaruar se ngritja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës është një tjetër provokim dhe përpjekje për të ndryshuar gjendjen në terren në prag të dialogut Beograd-Prishtinë.

“Nuk do të ketë asnjë reagim të veçantë të qeverisë së Serbisë, përveç gjykimit dhe shpalljes së këtij akti një provokim flagrant që nuk ka për synim qetësimin e situatës, por shqetësimin e banorëve serbë dhe krijimin e një situate ku janë të mundshme incidentet”, tha Ivanoviç.

Top Channel