Samiti i G20-ës, punësimi dhe rritja ekonomike

20/06/2012 02:10

Udhëheqësit botërorë rinisën bisedimet në samitin e G20-ës, në Los Kabos te Meksikes, pas ditës së parë, ku dominuan polemikat mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për krizën e borxhit europian.

Në ditën e dytë te takimit, ata do të dalin me një deklaratë të përbashkët, për krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Në projekt/deklaraten e siguruar nga Asoshiejted Press shkruhet se anëtarët e G20-ës zotohen për të marrë të gjithë masat e nevojshme politike, në ruajtje të integritetit dhe stabilitetit të eurozonës. Madje aty flitet per nje përqendrim te krijimi i vendeve të punës, përmes shpenzimeve qeveritare cka bie ndesh me masat shtrënguese dhe reduktimet në buxhet.

“Nëse rritja ekonomike dobësohet, shkruhet në deklaratë, vendet pa borxhe të mëdha duhet të jenë të gatshëm për të koordinuar dhe zbatuar veprime diskale për të mbështetur kërkesat e brendshme”.

Nga ana tjetër ekonomitë e BRIKS-it (BRICS) ku bën pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut u zotuan se do te shtojnë kontributet e tyre në FMN, të nevojshme për të rritur financat per te parandaluar ndonjë krize tjeter financiare ne te ardhmen.

Të peste vendet ofruan 10 miliardë dollarë, në shkëmbim të reformave që do tu japin atyre më shumë influencë në organizatë. Kina do të japë 43 miliardë dollarë për fondin e ndërhyrjes në raste krizash, që tashmë është dyfishuar duke arritur 456 miliardë dollarë.

Te hënën shumë udhëheqës u shprehen të alarmuar për krizën në eurozone. Kreu i Bankës Botërore, Robert Zoelik tha: “Europa duhet t’na thotë se cfarë duhet të bëjmë”.  

Kreu i Organizates per Bashkepunim dhe Zhvillim Ekonomik Hose Anhel Gurria tha se kriza është rreziku i vetëm më i madh për ekonominë botërore. Por Presidenti i komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso mori në mbrojtje përpjekjet dhe metodat e BE-së për të menaxhuar krizën. “Ne nuk kemi ardhur këtu të marrim leksione demokracie apo si të menaxhojmë ekonomike. Kjo krizë nuk e ka zanafillën në Europë”, tha ai.

Top Channel